Ka vende ku opozita është kritik i qeverisë – Në Kosovë ajo është avokat i Serbisë
Nga Frashër Oseku
Ka vende ku opozita është kritik i qeverisë. Në Kosovë, ajo është avokat i Serbisë. Të gjithë e dimë se Lista Serbe është instrument politik i Beogradit, që nuk e njeh shtetin, nuk respekton ligjet dhe vepron me urdhra nga Vuçiqi. Por opozita jonë, në vend që ta luftojë këtë realitet, e justifikon me tonin e një nxënësi të bindur: “E kërkon Kushtetuta!”
Kjo është formula e tyre magjike: sa herë që s’u shkon në favor interesave të Kosovës, e nxjerrin “Kushtetutën” si mburojë për nënshtrim. Në fakt, ata s’e kanë idenë se çfarë mbrojnë — sepse në thelb, mbrojnë ndikimin e Serbisë në institucionet e vendit. Nëse Moldavia ndalon partitë pro-ruse, opozita jonë do t’i ftonte për “bashkëqeverisje” në emër të pluralizmit.
E më keq se opozita, janë “analistët publikë” që na shfaqen çdo mbrëmje nëpër televizione, me syze, kostum dhe një tufë frazash boshe: “duhet respektuar Kushtetuta”, “Lista Serbe ka mandat legjitim”, “nuk duhet ndalim politik.” Në fakt, ata janë më shumë zëdhënës të Vuçiqit sesa analistë.
Këta janë “intelektualët” që e përdorin Kushtetutën si pretekst për ta mbrojtur Beogradin, jo Prishtinën. Flasin për rendin kushtetues, por heshtin për rendin që Serbia tenton ta shkatërrojë çdo ditë. E thonë me zë serioz se “Lista Serbe duhet përfaqësuar”, ndërkohë që e dinë se ajo nuk përfaqëson qytetarë, por urdhra të një shteti armik.
Opozita dhe këta “analistë kushtetues” janë dy anët e së njëjtës medalje të turpit politik. Njëra bën politikë me frikë, tjetra bën analizë me pagesë. Dhe të dyja bashkë e quajnë këtë “demokraci”. Në fakt, është vetëm një gjë: dorëzim i maskuar me fjalë të bukura.
Rruga Press

