John Bolton: Nëse Trumpi do të kishte fituar “Rusët tashmë do të ishin në Kiev”
Newsweek – Përktheu Rruga Press
Ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, tha se ish-presidenti Donald Trump do ta kishte “dhuruar Ukrainën” nëse do të kishte fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe do të shërbente një mandat të dytë gjatë përplasjes aktuale me Rusinë.
Boltoni tha për gazetën Newsweek se një mandat i dytë i Trumpit ka të ngjarë të kishte bërë që ish-presidenti të dyfishonte teoritë e konspiracionit që helmatisën lidhjet e administratës së tij me Kievin dhe që çuan në iniciativën e tij parë për shkarkimin e tij, nga dy gjithsej.
“Unë mendoj se, bazikisht, ai do ta kishte dhënë Ukrainën” tha Boltoni për Newsweek. “Derisa të kthejnë serverin e Komitetit Kombëtar Demokratik dhe të zbulojnë se çfarë po bënte Hunter Biden në Ukrainë, Ukraina do të mbrohej vetë”.
“Ju mund ta dalloni këtë me disa nga trumpistët e këtyre ditëve, Tucker Carlson dhe njerëz të tillë”, shtoi Boltoni.
Prezantuesi i Fox News, Carlson, ka qenë në ballë të skepticizmit të krahut të djathtë për Ukrainën. Carlsoni e kishte hedhur poshtë Kievin si “strategjikisht të parëndësishëm” për SHBA-në dhe kritikoi Shtëpinë e Bardhë për gjoja luftënxitëse me Rusinë.
“Unë mendoj se në një mandat të dytë të Trumpit rusët do të ishin tashmë në Kiev,” tha Boltoni.
Newsweek ka kërkuar koment nga zyra e Trumpit.
Ish-presidenti ka bërë vazhdimisht pretendime të rreme në lidhje me firmën amerikane të sigurisë kibernetike CrowdStrike, e cila hetoi një hakim të vitit 2016 të një serveri të Komitetit Kombëtar Demokratik, për të cilin shumë firma private dhe agjenci të inteligjencës amerikane fajësuan Rusinë.
Trumpi dhe disa nga aleatët e tij republikanë, megjithatë, pretenduan në mënyrë të rreme dhe pa prova se CrowdStike me bazë në Kaliforni ishte në pronësi të një oligarku të pasur ukrainas të paidentifikuar dhe se kompania fabrikoi prova në serverin DNC për ta përshtatur sikurse të ishte ruse.
Ish-presidenti pretendoi në mënyrë të rreme se CrowdStrike mbante serverin e dyshuar në Ukrainë. Në realitet, DNC tha se çaktivizoi 140 serverë që lidhen me incidentin e vitit 2016, 11 prej të cilëve u rindërtuan më vonë, raportoi NBC News.
Mjedisi i teorive konspirative të Ukrainës të përvetësuara nga Trumpi dhe aleatët e tij përfshinte gjithashtu djalin e Presidentit Joe Biden, Hunter, i cili për një kohë shërbeu në bordin e kompanisë private ukrainase të naftës dhe gazit, Burisma.
Përqendrimi i Trumpit në teori të tilla – i shtyrë pjesërisht nga ish-avokati Rudy Giuliani, i cili drejtoi axhendën në hije të administratës në lidhje me Ukrainën, duke kërkuar për pisllëqe të kundërshtarëve demokratë – çoi në akuzimin e tij të parë për abuzim me pushtetin (impeachment).
Senati e shpalli të pafajshëm Trumpin.
Boltoni i tha gazetës Newsweek se administrata e Bidenit nuk po tregon vendosmërinë e nevojshme për Ukrainën. “Unë nuk mendoj se Putini beson te kërcënimi i sanksioneve post-fakto pas pushtimit,” tha ish-këshilltari i sigurisë kombëtare.
“Nuk mendoj se ai ka arritur të marrë një vendim për të përdorur forcën ushtarake. Unë mendoj se ai është ende duke llogaritur logjikën kosto-përfitim këtu.”
“Ka shumë raportime për dërgimin ose përgatitjen e trupave amerikane dhe vendeve të NATO-s në rajon – në Rumani, në Baltik dhe Poloni. Mendoj se e gjitha kjo është mirë. Jam dakord me të.”
“Por ata nuk do të shkojnë në Ukrainë dhe nuk mendoj se do të frenojnë pushtimin e mundshëm. Mendoj se kjo vetëm risiguron aleatët e NATO-s, gjë që është e rëndësishme për t’u bërë. Por nuk mendoj se kjo ka ndonjë efekt në llogaritjet e Putinit për Ukrainën .”
Boltoni kohët e fundit ka argumentuar se trupat e NATO-s duhet të vendosen në Ukrainë – një vijë e kuqe që Rusia e ka theksuar vazhdimisht se mund të provokojë luftë. Moska po kërkon garanci që Ukraina nuk do të lejohet të anëtarësohet në NATO, një propozim i hedhur poshtë nga Kievi, SHBA-ja dhe aleanca.
Më shumë se 100,000 trupa rusë mbeten të dislokuar në kufijtë veriorë, lindorë dhe jugorë të Ukrainës. SHBA-ja ka paralajmëruar vazhdimisht se një pushtim i shkallës së gjerë mund të jetë “i afërt”, ndërsa zyrtarët në Uashington, DC, Kiev dhe Bruksel presin vazhdimin e luftës hibride ruse dhe agjitacionit në rajonin e Donbasit të kontrolluar nga separatistët.
SHBA-ja ka rritur ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe ka dërguar trupa dhe pajisje në Evropën Lindore. Bideni ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së më shumë trupave amerikane në tokën ukrainase. Një forcë e trupave të Gardës Kombëtare të Floridës ndodhet aktualisht në Ukrainë për një mision trajnimi.
“Çështja e përbashkët tani është vlerësimi i vendosmërisë amerikane”, tha Boltoni.
“Dhe unë mendoj se tërheqja nga Afganistani hapi një gropë të madhe në besueshmërinë dhe perceptimin tonë për vendosmërinë tonë, dhe për rrjedhojë efektivitetin e përpjekjeve tona për të siguruar – në rastin e Ukrainës, për shembull – frenimin duke kërcënuar me sanksione në të ardhmen. “
©Rruga Press