KryesoreLajme

‘Jetesa nën presion’/ Shqiptarët më të shqetësuar për ekonominë se shumica e botës

Shqipëria renditet mes vendeve ku shumica e qytetarëve kanë ekonominë si problemin kryesor kombëtar. Sipas një studimi të fundit global të Gallup, 58% e të rriturve në vend deklarojnë se çmimet e larta, pagat e ulëta dhe standardi i jetesës janë shqetësimi më i madh me të cilin përballen çdo ditë.

Studimi u prezantua në kuadër të World Governments Summit dhe bazohet në përgjigjet e qytetarëve të rritur nga 107 vende të botës.

Të anketuarve u është kërkuar të shprehin me fjalët e tyre se cili është problemi më i rëndësishëm me të cilin përballet vendi i tyre, pa lista apo alternativa të parapërcaktuara.

Në nivel global, mesatarisht vetëm 23% e të rriturve e përmendin ekonominë si çështjen kryesore kombëtare.

Shqipëria renditet shumë mbi këtë mesatare, duke reflektuar një nivel të lartë pakënaqësie dhe pasigurie ekonomike mes qytetarëve.

Sipas Gallup, banorët e vendeve me të ardhura më të ulëta kanë më shumë gjasa ta shohin ekonominë si problemin kryesor, krahasuar me vendet me të ardhura të larta. Ky model shpjegon pjesërisht edhe pozicionin e Shqipërisë në këtë renditje.

Lexo më shumë  Hajdari: Duke zgjedhur Kosovën, kompanitë franceze fitojnë një partner të besueshëm në zemër të Ballkanit

Në krye të listës globale renditen vende me realitete të ndryshme ekonomike, si Malawi, Venezuela dhe Bolivia, por me një të përbashkët të fortë: popullsi që përjeton vështirësi serioze për të përballuar jetesën dhe që i vendos problemet ekonomike mbi çdo çështje tjetër.

Sipas ndarjes sipas nivelit të të ardhurave, në vendet me të ardhura të larta, rreth 21% e qytetarëve përmendin ekonominë ose pamundësinë për të mbuluar nevojat bazë.

Kjo përqindje rritet ndjeshëm në vendet me të ardhura mesatare dhe të ulëta, duke arritur deri në 38% në vendet më të varfra, ku ushqimi dhe strehimi shihen si probleme të drejtpërdrejta të përditshmërisë.

Në tërësi, përgjigjet e qytetarëve në mbarë botën grupohen në 12 kategori kryesore problemesh. Vetëm 1% e të anketuarve deklarojnë se vendi i tyre nuk ka probleme, ndërsa një pjesë e vogël refuzojnë të përgjigjen ose shprehen se nuk dinë.

Çështjet ekonomike dominojnë renditjen globale, të ndjekura nga puna dhe punësimi, politika dhe qeverisja, si dhe siguria dhe rendi. Këto katër tema përbëjnë rreth gjysmën e të gjitha përgjigjeve në nivel botëror.

Lexo më shumë  LVV reagon ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese: Inkoherenca e thellë dhe abus de droit nga Gjykata Kushtetuese

Më pas renditen shqetësime si ushqimi dhe strehimi, çështjet sociale, mjedisi dhe ndryshimet klimatike, shëndetësia dhe arsimi. Emigracioni, infrastruktura dhe media përmenden nga një përqindje shumë më e vogël e qytetarëve.

Sipas rajoneve, ekonomia renditet si shqetësimi kryesor pothuajse kudo në botë. Përjashtim bën Amerika e Veriut, ku politika dhe polarizimi politik zënë vendin e parë. Në Europë dhe rajonin Azi-Paqësor, ekonomia pasohet nga pakënaqësia politike, ndërsa në Afrikën Sub-Sahariane dhe disa vende të Lindjes së Mesme, punësimi shihet si problemi më i madh.

Në Amerikën Latine dhe Karaibe, siguria dhe rendi renditen ndër shqetësimet kryesore, për shkak të kriminalitetit dhe pasigurisë.

Raporti thekson se qytetarët nuk i gjykojnë problemet kombëtare përmes statistikave makroekonomike, por përmes realitetit të tyre të përditshëm: nëse mjafton paga, nëse ka punë të qëndrueshme, nëse shërbimet funksionojnë dhe nëse ndihen të sigurt.

Në rastin e Shqipërisë, të dhënat sugjerojnë një hendek të thellë mes treguesve zyrtarë dhe përjetimit real të qytetarëve, të cilët e shohin ekonominë jo si debat politik, por si një problem jetik.

Rruga Press

YouTube player