“Jeni vrasës, nuk jeni shtet”: Momente nga shembjet e banesave në zonën e ‘5 Majit’
Pavarësisht rezistencës së banorëve prej ditësh, fadromat e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) kanë nisur shembjen e banesave në njësinë numër 4, për t’i hapur rrugë projektit të rindërtimit në zonën e ‘5 Majit’. Në ndihmë të IMT-së në zonë, kanë mbërritur forca të shumta të policisë dhe pritet të shemben rreth 11 shtëpi.
Skena prekëse ishin ato që u panë nga shembja e shtëpive, pasi banorët në përpjekje për të mbrojtur shtëpitë nga fadromat IMT-së, u ngjitën nëpër avllitë e shtëpive apo në dritaret e banesave. Por kjo nuk mjaftoi, pasi përballë dhjetëra forcave të policisë të cilët shkelmuan dyert, ato ishin të pafuqishëm dhe u nxorën me forcë nga shtëpitë e tyre, të cilat thonë se i kanë ndërtuar që para 30 vitesh.
Të lodhur, të pagjumë dhe jashtë dyerve të shtëpisë, ata rrëfyen ‘betejën’ e vështirë që po kalojnë nga shembja e banesave të tyre.
“Janë vrasës, nuk janë shtet. Po luftojmë për të drejtat tona, këta janë armiqtë, nuk janë shqiptarë. Ku janë pushtetarët se jam duke vdekur? Janë vrasës… që vrasin popullin, vrasin fëmijët, njerëzit. Nuk e vret kush mafien. Këtu s’ka pas shtet këtu e 500 vjet. Do prishin shtëpinë time për të bërë kullën 50 kate,” tha një banore.
Rruga Press