Javë e tmerrshme, por e zakontë!
Çfarë ka ndodhur këto ditë në Shqipëri?
Asgjë e re sigurisht, sepse për fat të keq ngjarjet si e sotmja veç sa shtohen dhe vijnë tepër të normalizuara midis njerëzve.
Java nisi me protestën e fermerëve në Lushnje. Fermerët të cilët kishin ardhur nga e gjithë zona e Myzeqesë, Beratit, Poliçanit etj. Fermerët i kanë dorëzuar nje kërkesë qeverisë ku i bëjnë me dije se shteti duhet t’i mbështesë dhe jo t’i lërë në baltë. Me mosmbështetjen nga shteti, çmimet do të rriten dhe papunësia po ashtu. Kryeministri, Minisrja e Bujqësisë edhe deputeti Erion Braçe nuk janë shprehur të gatshëm për të ndihmuar, por kanë qenë mjaft aktiv në ironizim dhe në heqjen e fajit nga vetja.
Ditët e tjera pasuan me ngjarjen e cila drithëroi një vend të tërë, vrasja e 8 vjeçarit nga Fieri. Mateo u gjet i groposur në oborrin e fqinjit të tij. Ai e kishte gjuajtur vogëlushin në kokë me lopatë, gjë që solli vdekjen e djalit. Autori i vrasjes ka kryer edhe më parë vepra penale, ka rrembyer një vajzë dhe ka mbajtur armë pa leje. Por ky i fundit është lënë nga policia i lirë edhe pse të gjithë banorët ishin ankuar edhe më herët në polici për të. Bashkia dhe Policia e Fierit mbajnë mbi supe pasojat e neglizhimit të rastit. Në qoftëse Klodiani, vrasësi do të ishte mbajtur në burg ose do ishte në vëzhgimin e autoriteteve, Mateo do vraponte me shokët e shoqet.
Tragjedia nuk ka të mbarur. Vetëm ditën e sotme janë tre raste të përdhunimit dhe ngacmimit seksual te minorenet. Rasti i parë ku ishte i përfshirë edhe një kryeinspektor, i cili kishte kryer marëdhënie seksuale me 13 vjeçaren. Policia ka arrestuar tutorin dhe policin. Nga ata që presim të na mbrojnë, janë pikërisht ata që po kryejnë më shumë abuzime.
Dy rastet e tjera ishin ngacmime seksuale, një vajzë 11 vjeç dhe vajza tjetër 17 vjeç. Rastet e përdhunimit dhe ngacmimit seksual janë rastet më të shpeshta këto kohë. Për një vend kaq të vogël sa Shqipëria, në raport ne popullsinë, rastet janë tepër të larta.
Rritja e neglizhencës qeveritare dhe institucionale në përgjithësi shkon krah për krah me rënien e frikës se me kryerjen e një krimi do ketë përballje me ligjin. Pasojat e këtij ngërthimi të prapë gjithmonë i pësojnë më së shumti pak të mbrojturit dhe të varfërit.
Gjithashtu, sot dëgjuam “perlat” që Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj i tha një gazetari. Badigardët e tij nuk e lejuan gazetarin që t’i afrohej Veliajt, ndërkohë që ky i fundit e ofendonte dhe tregonte sjellje prej “të forti” me gazetarin e Ora News. Sigurisht, kjo nuk është hera e parë dhe e fundit që Kryetari i Bashkisë i trajton gazetarët sikur të ishin lecka, ashtu siç edhe e quajti sot gazetarin.
Kjo panoramë kaq e trishtë e Shqipërisë bëhet edhe më dëshpruese kur kujton se sa e zakontë është një javë si kjo që po kalojmë. Dhe akoma nuk ka përfunduar.
©Rruga Press