Ja si i torturojnë brutalisht komandantët e Putinit ‘dezertorët’ gjysmë të zhveshur
Komandantë të ushtrisë ruse raportohet se kanë lidhur pas pemëve dy ushtarë të akuzuar për dezertim dhe moszbatim urdhrash, duke u futur grumbuj bore në gojë, teksa i shanin pranë vijës së frontit.
Pamjet tronditëse, të siguruara nga East2West, tregojnë dy ushtarë të lidhur me skoç në pemë, pothuajse pa rroba, në të ftohtin e acartë.
Të dy burrat kërkojnë ndjesë për mosbindjen e tyre të supozuar, por britmat e njëri ndalen kur një oficer epror i fut një grusht bore në gojë.
“Ata donin të iknin nga pozicionet e tyre, të mos zbatonin urdhrat,” ulërin një komandant.
“Haje, bushtër dreqi,” bërtet ai, ndërsa burrat vazhdojnë të luten.
“Më falni, nuk do të ndodhë më,” gërthet një ushtar, i cili ishte i varur kokëposhtë.
Pretendohet se burrat nuk arritën në destinacionin ku i kishte urdhëruar komandanti, megjithëse është e paqartë se ku ose pse.
Komandanti rus shton edhe një fyerje tjetër dhe fillon t’i shajë për rebelimin e tyre të supozuar.
Pamjet e rrjedhura të këtyre ndëshkimeve çnjerëzore dalin në dritë në mes të bisedimeve të paqes që po zgjasin prej muajsh, me synim përfundimin e luftës Rusi–Ukrainë.
Presidenti rus Vladimir Putin ka pohuar se nuk do t’i tërheqë trupat e tij, vetëm nëse Ukraina dorëzon një pjesë të territorit të saj, pikërisht tokën që ukrainasit kanë luftuar për ta mbajtur gjatë gjithë luftës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka hedhur poshtë kërkesën e Putinit.
“Nuk kemi të drejtë të japim asgjë, as sipas ligjeve tona, as sipas ligjit ndërkombëtar, as sipas ligjit moral,” u tha Zelensky gazetarëve në dhjetor. “Rusia, sigurisht, këmbëngul që ne të heqim dorë nga territori. Ne, sigurisht, nuk duam të heqim dorë nga asgjë,ne pikërisht për këtë luftojmë, siç e dini shumë mirë.”
War Archive, një kanal në Ukrainë, shpjegoi se tortura e parë në video është në përputhje me “metodat e përditësuara” të ushtrisë ruse të përdorura kundër atyre “që refuzuan të merrnin pjesë në një sulm”.
Nevzorov Telegram, një tjetër media ukrainase, shpjegoi se gjeneralët rusë po vazhdojnë të shtyjnë përpara, edhe pse ushtarët po lodhen, dhe kanë filluar të shpikin “lloje të reja torturash për personelin e tyre”.
“Rusia i kthen njerëzit në bagëti, sepse vetëm kafshët zbatojnë urdhra pa thënë asnjë fjalë. Oborri i fermës së Orwell-it, kjo është Rusia e Putinit,” tha kanali ukrainas Butusov Plus.
Rusia ndërmori më shumë sulme ajrore gjatë natës në Kharkiv dhe Odesa gjatë fundjavës, duke nxjerrë jashtë funksioni rreth 80% të energjisë elektrike të qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, duke lënë shumë njerëz pa ngrohje ndërsa temperaturat bien shumë nën zero.
Guvernatori i Kharkivit, Oleh Syniehubov, tha se ekipet po punojnë aktivisht “për të eliminuar të gjitha pasojat negative” të shkaktuara nga sulmi burracak.
Të paktën 44 persona, përfshirë fëmijë dhe një grua shtatzënë, u plagosën në dy sulmet. / New York Post
Rruga Press

