Bota

Izraeli thellon pushtimin në Rafah, vret 17 persona në kampet qendrore

Sulmet izraelite të martën kanë lënë të vdekur të paktën 17 palestinezë në dy kampe historike refugjatësh në Rripin e Gazës, derisa tanket izraelite kanë hyrë më thellë në qytetin jugor të enklavës, Rafah, kanë bërë të ditur banorët dhe mjekët.

Banorët kanë raportuar bombardime të rënda nga tanket dhe aeroplanët në disa zona në Rafah, ku më shumë se 1 milion njerëz ishin strehuar si refugjatë para majit. 

Shumica e popullatës është larguar për në veri që atëherë, pasi forcat izraelite e pushtuan qytetin, raporton Reuters.

“Rafahu po bombardohet dhe nuk ka asnjë ndërhyrje nga bota, okupatori po vepron lirshëm këtu”, ka deklaruar një banor i Rafahut i cili është baba i gjashtë fëmijëve.

Lexo më shumë  Mark Rutte emërohet shef i NATO-s

Tanket izraelite kanë operuar brenda zonave Tel Al-Sultan, Al-Izba dhe Zurub në perëndim të Rafahut, e po ashtu edhe në Shaboura, në qendër të qytetit. Ato po ashtu kanë vazhduar të okupojnë lagjet në lindje, e po ashtu edhe kufirin me Egjiptin dhe pikë kalimin kufitar vital në Rafah. 

Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë kanë thënë se një person u vra në mëngjes nga një sulm izraelit në anën lindore të Rafahut. Mjekët kanë thënë se besonin se shumë të tjerë ishin vrarë në ditët dhe javët e kaluara, por ekipet e shpëtimit nuk mundën t’i arrinin ata.

Ushtria izraelite ka thënë se po vazhdonte “aktivitetin e saktë dhe të bazuar në inteligjencë” në Rafah, duke vrarë shumë persona të armatosur palestinezë, dhe sekuestroi armë. 

Lexo më shumë  Volkswageni do të investojë 5 miliardë dollarë në rivalin e Teslas

Në Rripin qendror të Gazës, dy sulme ajrore të veçanta izraelite në dy shtëpi vranë 17 palestinezë në Al-Nuseirat dhe Al-Bureij, dy kampe refugjatësh.

Fushata tokësore dhe ajrore e Izraelit u shkaktua kur militantët e udhëhequr nga Hamasi hynë në jug të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë rreth 1,200 njerëz dhe duke kapur më shumë se 250 pengje, sipas të dhënave izraelite.

Ofensiva e ka lënë Gazën në gërmadha, duke vrarë më shumë se 37,400 njerëz, sipas autoriteteve të saj shëndetësore, duke e lënë popullsinë të pastrehë dhe të varfër.

Rruga Press

YouTube player