Bota

Izraeli dhe Hamasi arrijnë marrëveshje për pengje dhe armëpushim katërditor

Izraeli dhe Hamasi kanë arritur marrëveshje për një armëpushim katërditor në Gaza, raporton agjencia “AP”.

Sipas marrëveshjes 50 pengje të mbajtura nga grupi militant Hamas në Gaza do të lirohen, ndërsa në këmbim Izraeli do t’i lirojë fillimisht 150 të burgosur palestinezë që gjenden në burgjet e  Izraelit.

Katari, që ka luajtur rol kyç në ndërmjetësim me Hamasit, ka njoftuar për marrëveshjen pa treguar se kur do të hyjë në fuqi. 50 pengje që mbahen nga Hamasi do të lirohen me faza, në këmbim Izraeli do të lirojë me faza 150 të burgosur palestinezë.

Dyja palët kanë thënë se do të lirohen fillimisht gratë dhe fëmijët, dhe do të rritet furnizimi me ndihma humanitare në Gaza.

Lexo më shumë  Ukraina godet një depo nafte ruse në perëndim të Rusisë

Kabineti qeveritar i Izraelit ka aprovuar marrëveshjen në orët e hershme të së mërkurës, pas një mbledhje gjashtëorëshe që nisi në mbrëmjen e të martës.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, para fillimit të takimit të kabinetit qeveritar tha se lufta kundër Hamasit do të vazhdojë pas lirimit të pengjeve.

“Ne jemi në luftë dhe do ta vazhdojmë luftën. Do të vazhdojmë derisa t’i arrijmë synimet tona”, ka thënë Netanyahu.

Izraeli ka publikuar një listë me 300 të burgosur palestinezë që mund të lirohen me marrëveshjen e arritur. Fillimisht do të lirohen vetëm 150 prej tyre.

Ministria e Drejtësisë e Izraelit ka thënë se shumica janë të moshave 17 apo 18 vjet. Dhe se 274 nga 300 janë meshkuj.

Lexo më shumë  I nominuari i Trumpit për shef të Pentagonit sulmon NATO-n e OKB-në

Presidenti i SHBA-së. Joe Biden, e ka përshëndetur marrëveshjen. Ai ka thënë se është jashtëzakonisht i kënaqur që disa pengje që “kanë duruar javë të tëra robërie dhe një sprovë të papërshkrueshme, do të ribashkohen me familjet e tyre”.

Ai ka falënderuar liderët e Katarit dhe Egjiptit që ndërmjetësuan marrëveshjen.

Biden ka thënë po ashtu se marrëveshja “do të lehtësojë vuajtjet e palestinezëve të pafajshëm”.

Hamasi sulmoi Izraelin befasisht më 7 tetor, duke vrarë 1200 persona e marrë mbi 200 pengje.

Në kundërpërgjigje Izraeli nisi ofensivën në Gaza. Si pasojë raportohet për mbi 14 mijë palestinezë të vrarë, përfshirë 5000 fëmijë.

YouTube player