Iu shembën banesat për Unazën e Re, 4 familje nuk dëmshpërblehen nga Bashkia e Tiranës
Një pjesë e ndërtimeve në Unazën e Re të cilat ishin me dokumente të rregullta, por u shkatërruan për shkak të ndërtimit të rrugës, sipas bashkisë do të dëmshpërbleheshin tek pronarët e tyre.
Mirëpo kur kanë kaluar dy vite nga rrënimi i banesave, ka familje që ende nuk kanë marrë asnjë para.
Katër familjet Skeja, të cilat u dëbuan nga banesa e tyre pesëkatëshe pa asnjë njoftim paraprak apo vendim nga Inspektoriati i Mbrotjes së Territorit (IMT) Bashkia Tiranë, nuk kanë marrë ende asnjë kacidhe.
Atyre nuk iu është akorduar asnjëherë shuma e shpronësimit që u takonte, ndërsa kanë nisur edhe një proces gjyqësor ku kallëzonin penalisht punonjësit e IMT.
Ata bënë dhe një ankim përpara Avokatit të Popullit dhe ky i fundit u kërkoi informacion organeve të përfshira (IMT, IKMT, etj), lidhur me vendimin sipas të cilit është prishur banesa dhe nëse është akorduar shuma e shpronësimit sipas VKM. Pas katër shkresave për kërkesë informacioni, Avokati i Popullit e vlerësoi alarmant refuzimin e përgjigjes dhe rekomandoi marrjen e masave disiplinore ndaj përgjëgjesve për mospërmbushjen e detyrimit ligjor të dhënies së informacionit.
Vetëm pas kësaj “kujtese” nga Avokati i Popullit, IKMT u përgjigj me dhënien e informacionit se katër familjeve nuk iu është akorduar shuma e shpronësimit për shkak të “ezaurimit të fondit për shpronësimet akorduar Autoritetit Rrugor Shqiptar”.
Ndërsa prokuroria e pushoi çështjen pa realizuar minimunim e hetimit, Avokati i Popullit e ndoqi atë me seriozitet duke vendosur në dispozicion materiale të cilat janë prova e përgjegjësisë penale të zyrtarëve të përfshirë. Pasi u pushua nga Prokuroria, çështja u ankimua nga avokatët e qendrës “Res Publica”.
“Shpresojmë dhe besojmë që çështja të kthehet për rihetim dhe se informacioni i dhënë nga Avokati i Popullit të ndihmojnë gjatë rihetimit”, shkruan qendra.
Rruga Press