Italia i kthen Athinës skulpturat e Partenonit
Muzeu arkeologjik i Sicilisë ka nënshkruar një marrëveshje me Muzeun e Akropolit në Athinë për huazimin e skulpturave të Partenonit. Këto të fundit do të kthehen përkohësisht në Greqi, një praktikë që synon të përfundojë me kthimin e përhershëm dhe inkurajimin e muzeve të tjera (përfshirë Muzeu Britanik) për të bërë të njëjtën gjë.
Rreth gjysma e skulpturave të mbijetuara të shekullit V para Krishtit që dekoronin në atë kohë tempullin e Partenonit në Akropol ndodhen në Muzeun Britanik në Londër, i cili i ka rezistuar prej kohësh apelit grek për kthimin e tyre. Por fragmente të vogla mbahen edhe në muzetë e tjerë evropianë.
“Kthimi në Athinë i këtij artefakti të rëndësishëm të Partenonit shkon në drejtimin e ndërtimit të një Evrope kulturore që i ka rrënjët në historinë dhe identitetin tonë”, tha këshilltari i Siçilisë për trashëgiminë kulturore dhe identitetin, Alberto Samonà.
Pjesa që do të kthehet në Athinë është këmba e djathtë e Artemidës, perëndeshës greke të gjuetisë. Ajo mbërriti në Palermo nëpërmjet konsullit anglez në shekullin XIX, Robert Fagan. Pasi Fagan vdiq, e veja e tij ia shiti fragmentin muzeut Regio të Universitetit të Palermos, i cili më vonë u bë muzeu rajonal i Salinas.
Kjo marrëveshje shihet si shpresë për inkurajimin e Muzeut Britanik, i cili mban disa skulptura, të cilat u morën nga Partenoni nga Lord Elgin, ambasadori britanik në Perandorinë Osmane, në fillim të shekullit të XIX.
Skulpturat kanë qenë në qendër të një mosmarrëveshjeje të gjatë midis Britanisë dhe Greqisë, e cila i ka përsëritur disa herë përpjekjet për të kthyer skulpturat në vendin e vet.
Italia ka qenë në krye të përpjekjeve ndërkombëtare për të rikuperuar objektet e antikitetit që u grabitën nga territori i saj dhe përfunduan në muze dhe koleksione private në mbarë botën.
Në këmbim të fragmentit të këmbës së Artemidës, muzeu i Akropolit po i jep hua muzeut të Palermos një statujë të Athinasë të shekullit V para Krishtit dhe një amforë terrakote në stilin linear, gjeometrik që daton nga mesi i shekullit VIII para Krishtit.
Rruga Press