Bota

Ish-presidenti Trump i kërkon Gjykatës së Lartë të bllokojë dorëzimin e të dhënave të Shtëpisë së Bardhë

Ish-presidenti Donald Trump i kërkoi të enjten Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara të bllokojë publikimin e të dhënave të Shtëpisë së Bardhë të kërkuara nga komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin vdekjeprurës të 6 janarit në Kapitol.

Kërkesa e zotit Trump erdhi dy javë pasi Gjykata e Apelit e Shteteve të Bashkuara për Qarkun e kryeqytetit Uashington arriti në përfundimin se ish-presidenti nuk kishte asnjë bazë për të kundërshtuar vendimin e presidentit demokrat Joe Biden për të lejuar dorëzimin e dokumenteve. Vendimi nuk do të zbatohet derisa të vendosë Gjykata e Lartë.

Zoti Biden kishte përcaktuar më parë se të dhënat, të cilat i përkasin degës ekzekutive, nuk duhet të përfitojnë nga privilegji ekzekutiv, sipas së cilit mbahen konfidenciale disa komunikime të brendshme të Shtëpisë së Bardhë dhe se dorëzimi i tyre në Kongres ishte në interesin më të mirë të vendit.

Lexo më shumë  Dyshimet/ Epstein punonte për KGB dhe Mossad: VIP-at futeshin në kurth me vajza ruse

Avokatët e ish-presidentit Trump thonë në dosjen e tyre gjyqësore se kërkesa e Komisionit të poaçëm të Dhomës së Përfaqësuesve është “shumë e gjerë” dhe një “shkelje e pashembullt e privilegjit ekzekutiv”.

Vendimi i gjykatës së apelit ishte një tjetër goditje për ish-presidentin republikan dhe aleatët e tij, të cilët kanë zhvilluar një betejë ligjore të vazhdueshme me komisionin për qasjen tek dokumentat dhe dëshmitarët.

Komisioni i ka kërkuar Arkivave Kombëtare, agjencisë amerikane ku mbahen të dhënat e Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të zotit Trump, të dorëzojë regjistrat e vizitorëve, të dhënat telefonike dhe komunikimet me shkrim midis këshilltarëve të tij.

Lexo më shumë  Billie Eilish, Olivia Dean, Bad Bunny, Justin Biber dhe shumë artistë të tjerë protestojnë kundër ICE dhe Trump-it në fjalimet e tyre në Grammy

Paneli ka thënë se i duhen të dhënat për të analizuar se çfarë roli mund të ketë luajtur zoti Trump në nxitjen e dhunës.

Ish-presidenti Trump ka argumentuar se ai mund të kërkojë përdorimin e privilegjit ekzekutiv bazuar në faktin se ai ishte president në atë kohë edhe pse ai nuk është më në detyrë.

Gjykata e Lartë ka një shumicë 6-3 konservatore që përfshin tre gjyqtarë të emëruar nga Trump, por ajo nuk i ka pranuar gjithmonë kërkesat e tij.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *