Ish-komandanti i forcave amerikane në Evropë: Ukraina do t`i rimarrë të gjitha territoret e pushtuara
Nga Matteo Turato “Formiche.net”
Cilat janë zhvillimet në luftën në Ukrainë pas aneksimit të paligjshëm të 4 rajoneve juglindore nga Rusia? Frederick Benjamin “Ben” Hodges, ish-komandant i përgjithshëm i forcave amerikane në Evropë, tani profesor i Studimeve Strategjike në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane, beson se falë kundërsulmit të saj, Ukraina do të arrijë të rimarrë të gjitha territoret e pushtuara. Ai kritikon politikanët dhe ekspertët evropianë që po përpiqen të gjejnë një “rrugëdalje” për Putinin. Sipas tij, e vetmja mënyrë është largimi i ushtrisë ruse nga territori i Ukrainës.
A do ta sulmojë Kievi Krimenë, pavarësisht “vijave të kuqe” të vendosura nga rusët?
Ukraina do të arrijë ta çlirojë Krimenë deri në verën e vitit të ardhshëm, dhe Rusia do të vazhdojë të bëjë atë që po bën tani: të vrasë njerëz të pafajshëm, dhe të përpiqet të ndryshojë disi trajektoren e luftës. Sigurisht Putin ka probleme të mëdha në Rusi, prandaj i duhet të tregojë se është ende në krye të vendit dhe ne pozita të forta. Sulmet e fundit raketore që po shohim, nuk do të sjellin ndonjë pasojë ushtarake të rëndësishme. Ata thjesht vrasin njerëz. Por në fakt, kjo është një mënyrë përmes së cilës Putin kërkon që të dëgjohet nga bota.
A do të marrë Ukraina nga Perëndimi sistemet e mbrojtjes raketore, të cilat tani janë aq shumë të nevojshme?
Aktualisht Ukraina ka në dispozicion sisteme të mira, por ato nuk mjaftojnë. Prandaj unë shpresoj që Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Italia, Franca dhe të tjerët të dërgojnë më shumë kapacitete mbrojtëse, sepse po flasim për mbrojtjen e qytetarëve evropianë nga sulmet ruse. Nevojiten sisteme të mbrojtjes ajrore, avionë dhe raketa.
Sulmi në Urën e Ngushticës së Kerçit, na ka nxitur të mendojmë sesa mund të rezistojnë forcat ruse në zonën e Kherson, e cila duhet të furnizohen nga jugu…
Personeli rus i pranishëm në Kherson ndodhet aktualisht në një situatë shumë të rrezikshme. Deri më sot Putin nuk ka dashur të tërheqë mijëra ushtarë që ndodhen atje. Do të shohim nëse komandanti i ri i përgjithshëm do të ndjekë një linjë tjetër. Nëse mbeten atje, do të asgjësohen ose do të kapen rob. Nëse do të largohen kjo do të jetë një disfatë e madhe për Rusisë, jo vetëm ushtarake, por edhe politike.
A është e mundur që Moska të riorganizohet për të filluar një pushtim të vërtetë?
Nëse do t’u jepet mundësia, ata me siguri që mund të rigrupohen dhe të korrigjojnë disa nga gabimet dhe mangësitë e shumta që kanë me sistemet e tyre. Por Ukraina nuk do t’ua japë këtë shans. Ajo nuk do t’i lërë të qetë për një kohë të gjatë. Për sa kohë që Perëndimi mbetet i bashkuar në mbështetjen e Kievit me armë dhe sanksione kundër Moskës, rusët nuk do të jenë në gjendje të rifitojnë iniciativën në front.
Askush në Federatën Ruse nuk dëshiron t’i bashkohet tani ushtrisë. Ne deri tani kemi parë largimin e gjysmë milionë rusëve që kanë refuzuar thirrjen për t’u mobilizuar. Ata nuk besojnë në këtë luftë, nuk duan të marrin pjesë në të. Shpresa e rusëve është se mos Perëndimi do të lodhet.
Por vullneti për të luftuar nuk do të braktiset kurrë nga populli ukrainas që lufton për mbijetesën e tij. Por gjithçka bazohet në një pikë: kjo është një provë e forcës së Perëndimit dhe e vullnetit të Kremlinit për të vazhduar humbjen e jetëve njerëzore, me shpresën se do të arrihet në një pikë kur perëndimorët do të mërziten.
Putin ka shfrytëzuar kryesisht pakicat etnike ruse për të luftuar në Ukrainë. Çfarë mendoni mbi lëvizjet e brendshme separatiste të Federatës?
Rusët kanë probleme të mëdha demografike dhe etnike. Shumë pakica janë të lodhura nga detyrimi për të përballuar peshën kryesore të luftës. Njerëzit në Moskë dhe Shën Petersburg nuk u prekën veçanërisht nga lufta, të paktën deri në shpalljen e mobilizimit të pjesshëm.
Reagimi ndaj kësaj lëvizjeje të Putini, tregoi se shoqëria ruse ka shumë probleme, se ajo nuk është aq monolite sa duket, dhe se brenda Kremlinit ka një luftë reale për pushtet. Ka të ngjarë që disa rajone ta shohin këtë moment si një mundësi për t’u shkëputur nga Rusia.
A duhet rrëzuar Putin nga pushteti?
Këtë do ta vendosin rusët. Unë nuk bëj thirrje për organizimin e një grushti shteti. Nuk jam pro ndryshimit të regjimit të diktuar nga jashtë. Ai duhet të jetë një reagim i vetë rusëve. Sigurisht, rusët meritojnë më mirë sesa kanë parë deri më sot nga udhëheqja e tyre. Por në thelb kjo është diçka që u takon atyre ta vendosin. Sigurisht, në Moskë nuk mungojnë as ultra-nacionalistët: në këtë skenar rrëzimi i Putinit nuk do të sillte asgjë pozitive, përkundrazi mund t’i përkeqësonte gjërat.
A ka ndonjë mospërputhje midis objektivave të Ukrainës dhe SHBA-së në këtë luftë?
Unë nuk jam në dijeni të asaj që po diskutohet aktualisht brenda Shtëpisë së Bardhë dhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Presidenti im e ka bërë të qartë se sovraniteti ukrainas është një prioritet për Shtetet e Bashkuara, dhe që ne duam që Rusia të humbasë në këtë luftë.
Unë nuk e di se përse disa njerëz në Romë, Berlin, madje edhe këtu në Uashington, i shkelin syrin Putinit duke folur për nevojën e negociatave, për të shpëtuar fytyrën e liderit rus, për t’i ofruar atij një rrugëdalje nga ky qorrsokak ku është futur.
Unë besoj se Putini e ka krijuar vetë këtë situatë, dhe nëse do një rrugëdalje mund të largohet kur të dojë. Natyrisht, ne në SHBA dhe Perëndim, duhet të mendojmë për pasojat e një shpërbërje të mundshme të federatës ruse, në mënyrë që të mos befasohemi si në vitin 1991.
A ekziston rreziku që Rusia ta përdorë arsenalin e saj bërthamor?
Rreziku ekziston. Rusët kanë shumë bomba bërthamore, dhe atyre nuk u intereson se sa njerëz të pafajshëm mund të vdesin. Prandaj, llogaritja e tyre do të bazohej jo aq në ndonjë arsyetim moral apo humanitare, por se kush to të ketë avantazh. Pyetja kryesore është kjo: Cili është përfitimi që mund të ketë regjimi nga përdorimi i armëve bërthamore?
Ai nuk do të përfitonte ndonjë avantazh ushtarak të rëndësishëm. Nga ana tjetër do të duhej të menaxhonin reagimin e SHBA-së, që do të ishte i tmerrshëm. Unë nuk shoh ndonjë përparësi të madhe në përdorimin e armëve bërthamore. Përkundrazi, Federata Ruse do të vazhdojë të bombardojë me raketa për aq kohë sa të jetë e mundur. Por raketat nuk janë të pafundme dhe për shkak të sanksioneve, rusët nuk janë në gjendje që t’i zëvendësojnë ato.
Rruga Press