KryesoreLajme

Investimi i Kushner në Beograd/ Analiza: Projekti i pasigurt pas pranimit të fajësisë për falsifikim nga zyrtari serb

Kompania Affinity Partners, në pronësi të Jared Kushnerit, ka njoftuar se tashmë është i pasigurt fati i projektit për ndërtimin e një hoteli luksoz në vendin ku sot ndodhet kompleksi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, në qendër të Beogradit, pas arrestimit të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve në Serbi.

Goran Vasiç, drejtor i përkohshëm i këtij institucioni, u arrestua më 13 maj, nën dyshimet se kishte falsifikuar dokumentacionin mbi bazën e të cilit Qeveria e Serbisë ia hoqi statusin e mbrojtjes kulturore objektit të Shtabit të Përgjithshëm.

Kjo kishte hapur rrugën që, në vend të këtij objekti modernist, të ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XX, kompania e dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump, të ndërtonte një hotel luksoz dhe objekte shumëkatëshe – projekt i kundërshtuar nga ekspertë dhe opinioni publik në Serbi.

Lexo më shumë  Haxhiu për betimin e kryetarëve të rinj në komunat veriore: Nga një vend i bombave është shndërruar në një hapësirë ku jetohet qetësisht

Nga Affinity Partners i thanë gazetës amerikane, The New York Times, se nuk kanë pasur asnjë rol në procesin e rishqyrtimit të statusit kulturor të lokacionit.

“Sot, nga mediat, mësuam se një ish-zyrtar i Qeverisë serbe, pa asnjë lidhje me kompaninë tonë, dyshohet se ka falsifikuar dokumente në lidhje me statusin e mbrojtjes kulturore për projektin ‘Belgrade Square’”, thuhet në deklaratën e kompanisë, duke shtuar se “do ta hetojmë situatën dhe do të marrim hapat e mëtejshëm”.

Sipas kompanisë, punimet në këtë lokacion ende nuk kanë nisur, dhe fati i projektit është tashmë i pasigurt. Prokurori serb për krime të organizuara njoftoi më 14 maj se ka marrë në pyetje të dyshuarin Goran Vasiç, i cili – sipas Institutit – ka pranuar veprën penale që i ngarkohet. Qeveria e Serbisë më 15 maj 2024 nënshkroi një marrëveshje për “revitalizimin” e kompleksit me kompaninë e Kushnerit, Affinity Global Development, përmes së cilës ia ka dhënë tokën me qira për 99 vjet.

Lexo më shumë  Gjermania vendos në funksion mburojën kundër raketave balistike

Kushner ka planifikuar të ndërtojë një kompleks afaristo-banesor, ku do të përfshihet edhe një memorial për viktimat e bombardimeve të NATO-s, por detajet e kontratës me Qeverinë serbe nuk janë bërë publike. Projekti është kundërshtuar nga ekspertë, opozita dhe një pjesë e qytetarëve, të cilët e konsiderojnë sulm ndaj trashëgimisë kulturore, dhe kritikojnë mungesën e transparencës.

Ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së atëhershme jugosllave, dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, u ndërtuan mes viteve 1955-1965, sipas projektit të arkitektit Nikolla Dobroviq, si një ansambël dykatësh që atëherë quhej Sekretariati Shtetëror për Mbrojtjen Popullore. Ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm u bombardua dy herë gjatë fushatës ajrore të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) kundër Jugosllavisë, më 1999./ REL

YouTube player