KryesoreLajme

Investigimi për tunelin e Llogarasë/ Kompania turke u regjistrua ditën që nisi punën

Katër muaj pas anulimit të tenderit të parë për tunelin e Llogarasë dhe 21 ditë pas vizitës që Belinda Balluku, së bashku me kryeministrin Edi Rama, zhvilluan në Ankara, ku u takuan me përfaqësues të kompanisë turke, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpall sërish procedurën tenderuese.

Në datën 24 qershor 2021, në sistemin e prokurimeve publike të Agjencisë së Prokurimeve Publike, çelet tenderi për pranimin e ofertave për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, me fond limit 18.967.810.952,08 lekë pa TVSH (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy pikë zero tetë).

Afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave ishte data 28 korrik 2021.

Rezulton se, ditën e hapjes së ofertave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka marrë pesë oferta, përkatësisht:

(i) JV Concord Engineering & Contracting, Alb-Building sh.p.k. dhe Alb-Star sh.p.k., me ofertë 15.848.808.298,78 lekë;

(ii) Albanian Glob Affaire, me ofertë 18.000.000.000 lekë;

(iii) JV INTEKAR dhe ASL INSAAT, me ofertë 17.036.526.000 lekë;

(iv) LIMAK, me ofertë 18.690.597.185,62 lekë; dhe

(v) Power Construction Corporation China, me ofertë 22.000.000.000 lekë.

Rezulton se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, pas vlerësimit të ofertave, ka shpallur fitues ofertën 17 miliardë lekë, të paraqitur nga konsorciumi turk INTEKAR – ASL.

Oferta më e ulët, prej 15.8 miliardë lekë, e paraqitur nga një bashkim operatorësh shqiptarë, është skualifikuar me arsyetimin se nuk përmbush kriterin e parashikuar në pikën 2.3.c, pra mungesën e përvojës për ndërtimin e urave me gjatësi mbi 120 m.

E për më tepër, ky kusht u zhduk për kompaninë turke që fitoi tenderin gjatë fazës së plotësimit të dokumenteve.

Nga verifikimi i kontratave publike të zbatuara nga operatorët shqiptarë, rezulton se ato kanë përvoja të mëparshme në zbatimin e punëve të ngjashme, përfshirë edhe ndërtimin e urave.

Në këto kushte, ngrihen dyshime të arsyeshme se skualifikimi i këtij bashkimi operatorësh, me ofertën 12 milionë euro më të ulët se operatorët fitues, është bërë pasi fituesi ishte paracaktuar.

Nga analiza e të gjitha të dhënave dhe fakteve të paraqitura del qartë se, me qëllim dhënien e tenderit fituesit të paracaktuar – konsorciumit të operatorëve INTEKAR – ASL, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me titullare shtetasen Belinda Balluku, fillimisht mori përsipër realizimin e procedurave të prokurimit publik për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, megjithëse në listën e investimeve për vitet 2021–2023 dhe ligjin për Buxhetin e Shtetit ishte parashikuar si autoritet kontraktor Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), i cili kishte eksperiencën, burimet njerëzore dhe ekspertizën më të specializuar për realizimin e kësaj procedure.

Më tej, disa ditë përpara përfundimit të afatit të ofertave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ndryshoi kriteret e tenderit me qëllim që t’i orientonte drejt një operatori të vetëm fitues.

Lexo më shumë  FSK përforcon lidhjet me Gardën Kombëtare të Ajovës për avancimin e kapaciteteve profesionale

Ministria shpalli fitues konsorciumin turk, i cili ishte qartazi i paracaktuar, duke skualifikuar një bashkim operatorësh shqiptarë me ofertë 12 milionë euro më të ulët dhe me shkaqe të dyshimta skualifikimi.

Megjithëse kriteret ishin paracaktuar për të prodhuar një fitues të vetëm – pikërisht konsorciumin INTEKAR – ASL – sërish rezulton se këto dy kompani nuk përmbushnin të paktën dy prej kritereve të dokumenteve standarde të tenderit, që kishin të bënin me xhiron mesatare vjetore dhe eksperiencat për punë të ngjashme, sa i përket sasisë dhe vlerës së tyre.

E jo vetëm kaq, por nga dokumentet e siguruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit mësohet se kompania e shpallur fituese nga Belinda Balluku nuk ishte regjistruar ende në Shqipëri.

Ndërsa u regjistrua pjesëmarrëse në tender në qershor 2021, kompania INTEKAR ASL fillon së ekzistuari vetëm në nëntor 2021.

Vetëm në nëntor 2021, konsorciumi turk i kompanive themeloi në Shqipëri degën e tij “INTEKAR – ASL”. Kompania INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK INSAAT zotëron 30% të aksioneve, me përfaqësues Serkan Çam, dhe kompania tjetër ASL INSAAT TAAHHUT zotëron 70% të “INTEKAR ASL”, me përfaqësues Abdulkadir Kart.

Më skandaloze këtë aferë e bën fakti se, teksa kompania që fitoi tenderin ende pa marrë kontratën në dorë, kryeministri Edi Rama u shfaq në Qafën e Llogarasë për të inauguruar nisjen e punimeve.

Kompania regjistrohet në Shqipëri në datë 8 nëntor 2021; po në ditën e themelimit është lidhur kontrata për nisjen e punimeve, ndërsa vetëm 6 ditë më pas, në datë 14 nëntor, kryeministri Rama do të shpërthente dinamitin për hapjen e tunelit, që – siç duket edhe nga pamjet e asaj dite – punimet kishin nisur që më herët për përgatitjen e infrastrukturës ndihmëse.

Sipas të dhënave të Open Spending Albania, rezulton se kompania INTEKAR ka përfituar pagesën e parë në datën 07.01.2022.

Ndërkohë, sipas përshkrimeve të pagesave të Thesarit, Akt Dorëzimi mban datën 15.11.2021, kur s’kishin kaluar as 24 orë nga tritoli inagurues i Edi Ramës.

Pra, siç duket, të gjitha veprimet janë kryer në një kohë rekord: nënshkrimi i kontratës ditën që kompania u themelua, nisja e punimeve brenda javës, dhe lëvrimi i pagesave brenda 24 orëve nga show propagandistik i kryeministrit në Llogara.

E gjitha kjo, që milionat e përcaktuara në tender të shkonin sa më parë në destinacionin final.

Duke marrë shkas nga kjo pagesë e parë, e cila specifikohet si Situacioni i parë i lëshuar nga kompania INTEKAR dhe i pranuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, PLUG investigoi më tej.

Sipas procedurës ligjore, kompania – përpara se të fillonte punimet – duhej të kishte një leje ndërtimi të miratuar, dhe më pas këto situacione duhej të miratoheshin nga supervizori, i cili do të vlerësonte që këto punime janë kryer sipas projektit dhe lejes së miratuar.

Lexo më shumë  Sallahu pavarësisht shfuqizimit: Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme nis sivjet

Sipas investigimit tonë, rezulton se leja e ndërtimit është miratuar në prill të vitit 2022.

Me Vendimin nr. 04, datë 26.04.2022, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) ka miratuar Lejen e Ndërtimit me objekt “Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë”, me vendndodhje në Bashkinë Vlorë dhe Bashkinë Himarë.

KKT ka vendosur: Miratimin me kusht të Lejes së Ndërtimit me zhvillues Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë;

Dokumenti i lejes së ndërtimit i jepet subjektit kërkues vetëm pas plotësimit të dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë;

Vendimi, pasi nënshkruhet nga Kryetari i Këshillit të Territorit, Ministri i Linjës dhe Sekretari i Këshillit Kombëtar të Territorit, hyn në fuqi menjëherë.

Pra, në datën 26.04.2022 kemi një leje ndërtimi të miratuar me kusht. Nëse nuk plotësohen këto kushte, leja nuk zbardhet dhe kompania INTEKAR nuk mund të kryente asnjë punim.

Teksa leja për të filluar punimet mungonte dhe ato s’duhej të kishin filluar fare deri në miratimin e saj, nga data 07.01.2022 deri në 15.04.2022, shoqëria INTEKAR ka depozituar 4 situacione të tjera, për të cilat Ministria e Belinda Ballukut ka kryer pagesa në vlerën 1.5 miliardë lekë, ose 15 milionë euro.

Ndërkohë, deri në datën 26.04.2022 nuk kishim asnjë leje ndërtimi të miratuar, ndërsa punimet vijonin në shkelje të ligjit dhe për më tepër inspektoheshin periodikisht nga Belinda Balluku, e cila së paku duhet të ishte kujdesur për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm.

Në këto kushte, minimalisht ajo e ka ekspozuar veten para veprës penale të shpërdorimit të detyrës.

Ky skandal nuk ndalet me kaq, pasi e vërteta është se Belinda Balluku, si subjekti që kishte aplikuar për lejen e ndërtimit, nuk i kishte plotësuar kushtet edhe për 3 vite të tjera.

Sipas dokumentacionit që disponon emisioni PLUG, leja është firmosur nga titullarja e AZHT, Adelajda Roko, në datën 28.05.2025, ose, e thënë më thjeshtë, vetëm pasi Edi Rama e përdori abuzimin me 190 milionë eurot e një projekti të zhvilluar pa leje, për efekte elektorale.

Ndërsa ligjërisht, shkresa që shikoni në ekran, që mban datën 28.05.2025, është pikërisht dokumenti dhe data kur duhet të kishin nisur punimet.

E thënë më qartë: leja është zbardhur dhe INTEKAR do të mund të kryente punimet vetëm pas datës 28.05.2025, dhe çdo punim i kryer më parë është ndërtim totalisht pa leje.

Do të mjaftonte kaq që SPAK të kishte ndërtuar zinxhirin e përgjegjësive – nga Belinda Balluku e deri te zyrtari më i fundit i angazhuar – për të dënuar shkeljet e rënda ligjore.

Nëse do të ishte serioz në hetimin e kryer, do të faktonte se përse i gjithë ky nxitim me abuzimin e 190 milionë eurove të taksapaguesve shqiptarë. /Marrë nga SYRI.net

Rruga Press

YouTube player