Intervista/ Osmani: Kosova dëmtohet në mënyrë të pariparueshme nëse bëhet pjesë e Open Balkan
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka qenë kritike ndaj ndërkombëtarëve për shumë çështje.
Në një intervistë për “Interaktiv”, që do të transmetohet të enjten mbrëma, ajo ka thënë se ndërkombëtarët duhet të jenë të zëshëm për të gjitha çështjet dhe jo vetëm për disa prej tyre, duke demantuar njëkohësisht edhe deklaratat e Viola von Cramon se qeveritarët nuk janë dakorduar në lidhje me aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Osmani ka thënë se kanë biseduar në lidhje me këtë çështje dhe se kanë pritur mjaft duke dëgjuar deklarata se tani nuk është koha për të ecur tutje.
“Kur na qenka momenti i duhur, nëse jo tani, Kosova ka pritur 12 vjet për të aplikuar për Këshillin e Evropës, që 12 vjet ne i kemi aty 34 vota nga 47, kështu që jo vetëm se është momenti, por jemi 12 vjet me vonësë, që të aplikojmë për Këshillin e Evropës”, ka thënë Osmani.
Ndërsa sa i përket liberalizimit të vizave ajo ka thënë se ka qenë e ditur se nuk mund të jemi pjesë e agjendës së 23 qershorit, sipas saj, këtë lajm e ka përhapur presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
Presidentja ka folur edhe për “Ballkanin e Hapur”, gjersa ka thënë se Kosova dëmtohet në mënyrë të pariparueshme nëse bëhet pjesë e tij.
“Kosova dëmtohet shumë ndërkombëtarisht, në qofte qasja pro-Putin dhe qasja kriminale e Serbisë arsyetohet. D.m.th. ne do të dëmtohemi në mënyrë të pariparueshme ndërkombëtarisht”, ka pohuar ajo.
Përveç ndërkombëtarëve, Vjosa Osmani pati kritika edhe për nivelin qendror të mëhershëm dhe të tanishmin, sidomos ndaj Ministrisë së Shëndetësisë.
Në këtë intervistë ajo ka folur edhe për marrëveshjen për energjinë dhe çështjet si reciprociteti, veteranët e raporti i Presidencës me median./koha/
Rruga Press