Inter siguron Correan, 31 milionë euro për Lazion
Interi siguron shërbimet e Joaquin Correa, pas negociatave të gjata, që iu afruan pretendimeve financiare të Lazios.
Marrëveshja u arrit pas një operacioni me vlerë të përgjithshme 31 milionë euro, me Presidentin e bardhekaltërve, Claudio Lotito, që pranoi të bënte një ulje të vogël të çmimit.
Interi do të paguajë 5 milionë euro për huazimin gjatë vitit të parë, ndërsa më pas ka detyrimin e blerjes së kartonit të sulmuesit, në vlerën e 25 milionë eurove. Sipas akordit, zikaltërit do të paguajnë edhe një milion euro në formën e bonuseve për rezultatet që do të arrijë skuadra.
Negociatat nuk kanë qenë aspak të lehta, edhe për shkak të tensionit që ekziston ndërmjet dy klubeve, pasi Interi i mori Lazios trajnerin Simone Inzaghi. Ky i fundit këmbënguli për të marrë Correan, me të cilin ka punuar gjatë tre viteve të fundit në kryeqytetin italian.
Megjithë situatën jo ideale, Lotito vendosi të ulë pretendimet financiare. Nga vlerësimi 40 milionë euro gjatë javës së kaluar, Lazio zbriti në shifrën e 35 milionëve. Por, tani bardhekaltërit pranuan një tjetër ulje të çmimit, në shifrën e 31 milionë eurove. Për sa i takon kontratës së Interit me futbollistin, gjithçka është e përfunduar. Zikaltërit kanë mbyllur prej disa ditësh marrëveshjen me Correan, për kontratë 4-vjeçare, e thënë ndryshe deri në vitin 2025, me page 3,5 milionë euro në sezon.