Instituti slloven: Po përgatitet një skandal i shpikur nga gjyqësori kundër Albin Kurtit në fund të fushatës
Në një analizë të Institutit Ndërkombëtar për Studimet e Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES) me seli në Lubjanë, Slloveni, i publikuar më 24 janar 2025, thuhet se parti të caktuara opozitare të Kosovës, në bashkëpunim me segmente të aktorëve të huaj dhe me një fraksion brenda aparatit gjyqësor dhe prokurorial, po bëjnë përpjekjet për të rrëzuar kryeministrin Kurti, duke shpikur skandale të paqena.
Ndër të tjera, aty thuhet se përgatitjet e këtij “skandali” kanë përfunduar dhe po koordinohen me përpikëri në bashkëpunim me disa aktorë të huaj, ndërsa pritet të paraqitet në kulmin e fushatës.
Kujtojmë se në muajin dhjetor, në prag të hapjes së fushatës zgjedhore, prokuroria në Kosovë nxorri një thirrje për kryeministrin Kurti në prokurori si dëshmitar dhe kjo u kontestua nga publiku i gjerë si tentativë e prokurorisë për të ndërhyrë në fushatën zgjedhore, në mënyrë që ta portretizojë kryeministrin Kurti si të përfshirë në skandale.
Më poshtë e gjeni pjesën e plotë të analizës së IFIMES rreth çështjes së fabrikimit të skandaleve:
Vitet e fundit Kosova është shndërruar në një platformë për fabrikimin e skandaleve të ndryshme politike të ndërtuara për të krijuar jostabilitet të brendshëm. Ky trend është theksuar veçanërisht me ngritjen e Albin Kurtit në krye të qeverisë së Kosovës.
Parti të caktuara opozitare të Kosovës, në bashkëpunim me segmente të aktorëve të huaj dhe një fraksion i paskrupullt brenda aparatit gjyqësor dhe prokurorial, po bëjnë të gjitha përpjekjet për të rrëzuar kryeministrin Kurti.
Analistët besojnë se Albin Kurti ka arritur të shpërbëjë një pjesë të konsiderueshme të strukturave politiko-kriminale në Kosovë. Forca e këtyre strukturave është evidente në përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të larguar nga detyra kryeministrin aktual Kurti.
Nuk është sekret se disa parti opozitare në Kosovë kanë krijuar lidhje me Beogradin. Pranohet gjerësisht se ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, lideri i Partisë Demokratike, kultivoi marrëdhënie të ngushta me kryeministrin e Kosovës dhe më vonë presidentin, Hashim Thaçi (PDK). Tadiq shkoi aq larg sa deklaroi se, me mbështetjen e tij, Partia Demokratike e Kosovës do të siguronte anëtarësimin e plotë në Internacionalen Socialiste.
Analistët sugjerojnë se një fraksion i paskrupullt brenda gjyqësorit, veçanërisht brenda sistemit prokurorial, po përgatitet të orkestrojë një skandal të sajuar që targeton kryeministrin Kurti dhe disa nga aleatët e tij më të afërt gjatë fazës përfundimtare të fushatës zgjedhore. Përgatitjet kanë përfunduar dhe po koordinohen me përpikëri në bashkëpunim me disa aktorë të huaj, ndërsa skandali pritet të paraqitet në kulmin e fushatës.
Rruga Press