Instituti i Krimeve të Luftës mbledh materiale edhe në Shqipëri
Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ka njoftuar se gjatë javës së kaluar, një pjesë e ekipit të IKKL-së vizitoi Shqipërinë, mblodhi materiale të rëndësishme dhe zhvilloi një seri takimesh për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi e për të forcuar lidhjet ekzistuese me figura dhe institucione kyçe.
“Në Kukës, z. Izet Ademaj, ish-polic kufitar dhe aktualisht drejtues i një organizate që mbështet të mbijetuarit e minave tokësore, dhuroi albumin ‘Ditët Kukësiane të Dramës Kosovare’ dhe librat e Jonuz Kolës nga Shoqata AlbAid. Gjithashtu, z. Sokol Kolgjini kontribuoi duke dhuruar librat e Sulejman Didës, të nënshkruara nga SHBA, të cilat pasurojnë më tej arkivin e IKKL-së me materiale të vlefshme”, njofton Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Në Tiranë, ekipi i IKKL-së zhvilloi takime në Bibliotekën Kombëtare, ku u pritën nga Zv. Drejtoresha znj. Majlinda Toçi dhe në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku patëm kënaqësinë të takonin znj. Mira Hoxha. Të dy institucionet shprehën gatishmërinë për të kontribuar me materiale relevante për arkivin e IKKL-së. Gjithashtu, gazetarët e njohur z. Mero Baze dhe z. Rexhep Shahu, kontribuan duke dhuruar materiale të rëndësishme për arkivat tona, ndërsa z. Armand Mero, gazetar i Zërit të Amerikës, ndau këndvështrimin e tij profesional dhe përvojën e tij mediatike, duke ofruar një pasqyrë unike për ekipin tonë.
“Në Durrës, gjatë takimit me z. Kudusi Lama, u zhvillua një shkëmbim konstruktiv i mendimeve, duke thelluar më tej bashkëpunimet tona edhe në këtë qytet të rëndësishëm. Angazhimi ynë për të ruajtur kujtesën historike dhe për të ndërtuar bashkëpunime të qëndrueshme me individë dhe institucione që ndajnë të njëjtat vlera dhe qëllime mbetet i palëkundur”, njofton Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Rruga Press