KryesoreLajme

Instituti Evropian për Studime të Sigurisë: Diella, ‘ministrja virtuale’ që mund ta fusë Shqipërinë në telashe me BE-në

Artikull nga Instituti Evropian për Studime të Sigurisë (EUISS)

Vizita e Ursula von der Leyen në Ballkanin Perëndimor këtë javë erdhi në një moment vendimtar për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Me paketën e re të zgjerimit që pritet të prezantohet muajin e ardhshëm, samitin e Procesit të Berlinit dhe takimin e Këshillit Evropian që afrohet, kjo vizitë nxori në pah hendekun mes retorikës së lodhur të Brukselit dhe pritshmërive të rajonit.
Megjithatë, në Forumin e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor në Tiranë, Presidentja e Komisionit Evropian u ndal te Shqipëria, duke e vlerësuar si një nga partneret më të besueshme të BE-së. Von der Leyen theksoi inteligjencën artificiale si një shtyllë kyçe për integrimin e rajonit në tregun e përbashkët evropian — në përputhje me ambiciet e reja dixhitale të Shqipërisë.

“Ministrja” Diella dhe Shqipëria që bëri bujë botërore

Muajin e kaluar, Shqipëria tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare si vendi i parë në botë që emëroi një sistem inteligjence artificiale si ministre të kabinetit qeveritar.
Më 11 shtator 2025, kryeministri Edi Rama prezantoi “Diellën”, një avatar digjital femëror i veshur me kostum tradicional shqiptar, si Ministre Shteti për Inteligjencën Artificiale, me detyrën për të mbikëqyrur prokurimet publike.

Në pamje të parë, ky hap duket si një përpjekje guximtare për të treguar inovacion dhe frymë evropiane modernizimi — në një kohë kur Tirana synon të hapë të gjitha kapitujt e mbetur të negociatave të anëtarësimit në BE deri në fund të vitit. Por fakti që qeveria i ka besuar një funksion real qeverisës një teknologjie “jo-njerëzore”, të bazuar në algoritme – dhe ndoshta të zhvilluar nga kompani jo-evropiane – ngre pyetje serioze mbi etikën, llogaridhënien, sigurinë kibernetike dhe varësinë teknologjike.


A është AI rruga e shpejtë drejt BE-së?

Në vitet e fundit, Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në rrugën e integrimit. Nga 33 kapituj negociatash, 28 janë hapur tashmë, dhe vetëm një grup mbetet i papërfunduar — ai për burimet, bujqësinë dhe kohezionin.
Synimi i qeverisë është që ky grup të hapet brenda këtij viti dhe që të gjitha kapitujt të mbyllen deri në vitin 2027. Për ta arritur këtë, Rama po mbështetet shumë te inteligjenca artificiale.

Lexo më shumë  Arrestimet e hajdutëve paralizojnë qeverinë e Shqipërisë, buxheti i 2025-ës akoma me suficit në Janar

Sipas qeverisë, AI do të ndihmojë në tre drejtime:

  1. Infrastruktura digjitale dhe shërbimet publike.
    Zhvillimi i një infrastrukture të sigurt digjitale dhe dixhitalizimi i shërbimeve publike është kusht për anëtarësim në BE. Në janar 2024, Shqipëria lançoi në platformën “e-Albania” një “nëpunës virtual” – një chatbot që ndihmon qytetarët në procedurat administrative.
  2. Përshpejtimi i përkthimit të ligjeve të BE-së.
    AI po përdoret për të ndihmuar procesin e transpozimit të legjislacionit të BE-së në ligjet shqiptare. Në vitin 2023, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) shpalli një tender prej 2.6 milionë euro për përdorimin e AI në këtë proces. Vetë Rama, sipas raportit, kontaktoi ish-drejtoreshën e OpenAI dhe me origjinë shqiptare, Mira Murati, për të përdorur ChatGPT në përkthimin dhe integrimin e mijëra faqeve të ligjeve evropiane.
  3. Lufta kundër korrupsionit.
    Korrupsioni mbetet një nga pengesat kryesore të integrimit në BE. Shqipëria renditet në vendin e 80 nga 180 shtete në indeksin e Transparency International për vitin 2024, me një rezultat 42/100. Pikërisht për këtë arsye u krijua “Diella” — si një përpjekje për të përdorur algoritmet për të kufizuar ndërhyrjen njerëzore dhe për të siguruar objektivitet në prokurimet publike.

Kur “zgjidhja teknologjike” kthehet në rrezik

Megjithatë, përdorimi masiv i inteligjencës artificiale në qeverisje ngre disa shqetësime serioze.

1. Rreziku i legjitimitetit

Një problem kyç është besueshmëria publike dhe llogaridhënia. Qeveria ka sqaruar se Diella nuk do të veprojë në mënyrë plotësisht autonome, por nën mbikëqyrje njerëzore. Megjithatë, çdo algoritëm ndikon në mënyrën si filtrohen dhe paraqiten të dhënat mbi të cilat bazohen vendimet politike.
Sa të gjurmueshme do të jenë “mikrovendimet” që merr Diella? Sa transparent do të jenë modelet që e udhëheqin?
Në një vend ku 75% e qytetarëve nuk u besojnë partive politike dhe 60% nuk i besojnë Parlamentit, krijimi i një “ministrje virtuale” mund të rrisë edhe më shumë mungesën e besimit.

Lexo më shumë  Durmishi: Jemi në gjendje gatishmërie për të menaxhuar situatën pas reshjeve

2. Rreziku kibernetik

Duke e vendosur Diellën në qendër të vëmendjes, qeveria shqiptare e ka bërë atë një shënjestër tërheqëse për sulme kibernetike.
Ajo përpunon të dhëna të ndjeshme personale dhe qeveritare, që mund të shfrytëzohen për hyrje në sistemet shtetërore, përmes API-ve të brendshme ose metodave të manipulimit digjital.

3. Varësia nga kompanitë e huaja

Një tjetër shqetësim është varësia nga teknologjitë e huaja. Edhe pse nuk ka konfirmim zyrtar, disa sinjale sugjerojnë se Diella funksionon mbi modelet e OpenAI dhe është e hostuar në Microsoft Azure.
Kjo mund të përforcojë pikërisht varësinë që BE po përpiqet ta shmangë, duke ngritur pyetje nëse kjo ndihmon apo pengon integrimin e Shqipërisë në BE.
Brukseli po investon në “AI Factories” për të krijuar modelet e veta evropiane — përfshirë edhe degë në Ballkanin Perëndimor, duke filluar me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.


Si të shmanget kurthi dixhital

Emërimi i Diellës ndërtohet mbi nisma të mëparshme të qeverisë për digjitalizim, por përveç entuziazmit politik, mbetet nevoja për kontroll të fortë njerëzor dhe transparencë.
BE-ja e sheh këtë zhvillim si një sfidë të re sigurie, jo vetëm si inovacion. Për të ruajtur ekuilibrin, çdo përdorim i AI në sektorë të ndjeshëm si prokurimet publike duhet të ketë miratim njerëzor dhe mbikëqyrje të plotë institucionale.

Njëkohësisht, Shqipëria duhet të forcojë sigurinë kibernetike dhe të zhvlerësojë varësinë nga ofruesit e huaj të teknologjisë.
Investimet në aftësitë digjitale të qytetarëve dhe institucioneve publike janë po aq të rëndësishme — sepse pa to, çdo hap i shpejtë drejt “modernizimit” mund të kthehet në një kurth digjital me pasoja të mëdha.

YouTube player