KryesoreLajme

INSTAT: 30 artikuj të shportës kushtojnë 20% më shumë se në janar

30 artikujt kryesorë të shportës së mallrave, ku përfshihen nafta dhe gazi, më datën 15 mars u shitën 20% më shtrenjtë se në janarin e këtij viti.

Lista e çmimeve në muajin janar ka si referencë matjet e INSTAT të disponueshme për publikun në web-in zyrtar, ndërsa çmimet e datës 15 mars u morën nga pikat e pakicës në kryeqytet, që kanë reflektuar nivelet më të ulëta të rritjes.

Sipas listës së çmimeve bashkëngjitur, rritjen më të madhe në vlerë e patën yndyrat, mielli dhe nënproduktet e tij, hidrokarburet etj.

Çmimet e vajit dhe gjalpit kishin përqindjet më të larta të rritjes. Një kg gjalp u shit dje me 1,000 lekë nga 682 lekë në janar, me një rritje 46.6%, ndërsa çmimi për një litër vaj u rrit me 40% duke shkuar në 320-330 lekë për kg nga 228.1 lekë që ishte në janar 2022.

Çmimet e yndyrave u rritën me shpejtësi pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë. Vendet në konflikt kryesojnë listën e eksporteve të vajit dhe lëndës së parë për këtë produkt.

Të përfshira në luftë dhe sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë sollën rritje të menjëhershme të çmimeve në produktet e vajit. Ndërsa çmimi i gjalpit ka si shkak kryesor faktorë të brendshëm që janë krijuar nga kostot e larta të energjisë dhe karburanteve në fabrikat e përpunimit të qumështit.

Lexo më shumë  Sveçla takon drejtorin rajonal të Organizatës Ndërkombëtare për Migracion, flasin për progresin e Kosovës në menaxhimin e migracionit

Për shkak se shumë prej tyre e blejnë energjinë në treg të lirë, aktualisht një kilovat energji blihet 4-5 herë më shtrenjtë se vitin e kaluar në këtë periudhë.

Pas yndyrave rritjen më të lartë e shënoi mielli dhe nënproduktet e tij. Një kilogram miell i paketuar u shit dje me pakicë me 135 lekë nga 99.2 lekë në janar, duke u rritur me 36%. Çmimi i makaronave u rrit me 20.5% dhe buka një kilogram u rrit me rreth 17%.

Një litër qumësht u shit dje 160 lekë për litër nga 120.3 lekë në janar. Ndërsa një litër kos natyral u shit me 150 lekë me rritje 16.2% në krahasim me muajin janar.

Kostot e larta të energjisë dhe transportit po prekin të gjithë zinxhirin e industrisë ushqimore në vend. Rritja e ushqimit për kafshë po rrit kostot e fermave të mëdha, pasi Ukraina dhe Rusia ishin lojtar të rëndësishëm në Europë për furnizimin me këto produkte.

Lexo më shumë  Tensione në Bosnje, BE dërgon trupa shtesë për të ruajtur paqen

Për këto arsye, edhe çmimi i një veze u rrit me 16%. Një kokërr tani po shitet me 21 lekë nga 17 lekë që ishte në janar 2022.

Çmimet e naftës dhe gazit gjithashtu u rriten fort pas luftës. Një litër naftë dje kushtoi rreth 10% më shumë se ne janar 2022. Çmimi tani po kontrollohet nga një bord i përbashkët me përfaqësues të qeverisë dhe tregut, të cilët mblidhen periodikisht për ndryshimin e çmimeve.

Në krahasim me muajin janar kanë pësuar ulje vetëm çmimet e kastravecëve dhe qepëve. Kastravecët shiten 14% më lirë se në janar, për shkak se në treg ka dalë prodhimi i ri i serrave, ndërkohë që kërkesa për eksport ka shfaqur probleme pas luftës në Ukrainë.

Lufta ka ndryshuar tendencat e konsumit. Nën panik se çmimet do të rriten më tej dhe se produktet do të mungojnë në treg, këtë muaj pati blerje jo të zakonta në artikujt e vajit dhe miellit në atë masë sa u zbrazën raftet e njësive të shitjes./Monitor/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *