Inflacioni me metodën e Eurostat u rrit 6.6% më 2022
I matur me metodën e Eurostat inflacioni në muajin dhjetor të vitit 2022 ka shënuar 7.5%, nivel ky pak më i lart se matja kombëtar, e cila në të njëjtin muaj rezultoi 7.4%. Rritja mesatare vjetore e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në vitin 2022 është 6,6%.
Rritja më e madhe e çmimeve prej 13,0% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 7,5%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6,6%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 5,1%, “Veshje dhe këpucë” me 4,9%.
Rritjet kishte edhe në grupet “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,5%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,8%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,6%, “Shërbimi arsimor” me 3,0%, “Shëndeti” me 2,4%, “Argëtim dhe kulturë” me 1,5% dhe “Komunikimi” me 1,1%. Në muajin Dhjetor 2022, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,4%.
Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,3%, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,5%, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,4% secili, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,3%, “Komunikimi” me 0,2%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Shëndeti” me 0,1% secili.
Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 1,5% pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,2% dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1%. Në dhjetor 2022 Zvicra, Luksemburgu, Spanja, Norvegjia dhe Franca kishin nivelin më të ulët të inflacionit në BE. Në krahun tjetër, Hungaria, Letonia, Estonia dhe Çekia kishin nivelet me të larta të inflacionit mbi 20%.
Për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.
Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës. Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.
Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).
Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.
Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%). Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).
IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë.
Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”./Monitor
Rruga Press