Lajme

Inflacion i lartë dhe rrezik stanjacioni

Indeksi i Çmimeve të Konsumit në Shqipëri u rrit me 6.7% në maj, rritja më e fortë në dy dekada, ndërsa Banka Botërore njoftoi se rreziku për stagflacion botëror është shtuar, duke paralajmëruar për rrezikun e një dekade vështirësish ekonomike.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit pësoi një rritje të re të fuqishme gjatë muajit maj duke arritur në 6.7%, një përshpejtim i dukshëm në krahasim me prillin kur çmimet në terma vjetorë u rritën me 6.2%. Rritja më e madhe vërehet në grupin e ushqimeve dhe transportit, ndërkohë që grupime të tjera të mallrave të konsumit, si veshjet apo mobiljet pësuan rritje shumë më të ngadaltë, duke forcuar dyshimet se vendi mund të përballet me një situatë stagflacioni, në të cilën çmimet janë të larta në një numër të kufizuar mallrash ndërsa prodhimi është i dobët për pjesën më të madhe të mallrave dhe shërbimeve për shkak se konsumatorët detyrohen të kursejnë në mallra jo të domosdoshëm për të paguar koston e rritur të ushqimeve dhe të karburantit.

Sipas INSTAT, nëngrupi vajra dhe yndyrna u shtrenjtua me 29% në maj në krahasim me majin e vitit të kaluar. Këto janë edhe mallrat më të inflacionuara. Vaji i lulediellit, i cili është vaji më i përdorur në Shqipëri për gatim, ka pësuar rritje dramatike në të gjithë botën për shkak të bllokimit të eksporteve të Ukrainës nga lufta Rusi-Ukrainë. Dy nëngrupe të tjera ushqimesh të shtrenjtuara janë Buka e Drithërat me 18.6% dhe Qumësht, Djathë dhe Vezë me 18.4%. Buka dhe drithërat u shtrenjtuan gjithashtu për shkak të luftës në Ukrainë ndërsa vezët janë shtrenjtuar me mbi 30% për shkak të gripit të shpezëve që ka prekur vende të ndryshme të botës duke vrarë më shumë pula se sa zakonisht.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Çmimi i vezëve pritet të rikthehet në normalitet më vonë këtë vit pasi dëmet e shkaktuara nga gripi i shpezëve të jenë rekuperuar ndërsa çmimi i vajit dhe drithit varet nga situata në Ukrainë. Organizata e Kombeve të Bashkuara po përpiqet të gjejë mënyrat për të krijuar një korridor detar që do t’i mundësojë Ukrainës të eksportojë stoqet e akumuluara nga mungesa e eksporteve të tre muajve të fundit. Në rast se kjo realizohet, çmimet mund të bien ndjeshëm për shkak se krahas stokut të Ukrainës pritet që së shpejti të dalin në treg korrjet e reja.

Ndryshe nga këto mallra, veshjet u shtrenjtuan me vetëm 1.3% në maj me bazë vjetore ndërsa kundesi shëndetësor me vetëm 0.2%. Inflacioni te komunikimi ishte vetëm 0.8% ndërsa grupimi Argëtim dhe Kulturë u rrit me vetëm 1.2%.

BB paralajmëron për rrezik stagflacioni

Banka Botërore publikoi një raport të detajuar mbi ecurinë e ekonomisë globale të mërkurën në të cilin paralajmëroi për herë të parë rrezikun që bota të vuajë nga një periudhë e gjatë stagflacioni. BB flet për momentin vetëm për rrezik për stagflacion, gjë që nënkupton recesion global dhe inflacion të lartë ndërsa parashikimi tani për tani është që rritje ekonomike botërore. Në rastin e Shqipërisë, BB parashikon rritje ekonomike prej 3.2% këtë vit dhe 3.5% vitin e ardhshëm.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

“Megjithëse inflacioni botëror tashmë parashikohet të kthehet në kuotat e vitit 2019 nga viti 2024, ekziston një rrezik në rritje se inflacioni mudn të mbetet i lartë për shkak të çrregullimeve në furnizimet botërore ndërsa problemet strukturore të cilat e patën mbajtur inflacionin në depresion përgjatë tre dekadave të fundit, po ikin,” thuhet në raport.

“Këto zhvillime rrisin shqetësimin për stagflacion – një periudhë në të cilën ka njëkohësisht rritje të dobët ekonomike dhe inflacion të lartë, të ngjashëm me atë që ndodhi gjatë viteve 1970,” vijon raporti.

Vendet në zhvillim dhe ato me borxhe të larta janë veçanërisht të rrezikuara, veren raporti. Shqipëria dukshëm bie në këtë kategori për shkak se borxhi publik i vendit është në kuotën 80% të PBB-së dhe se kostoja e këtij borxhi pritet të rritet ndërkohë që rritja ekonomike mund të ngadalësohet./reporter.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *