Lajme

Infantino në takim me Çekun e Ademin lavdëron Kosovën që e ka prioritet infrastrukturën e futbollit

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka lavdëruar Kosovën që sipas tij e ka vendosur përmirësimin e infrastrukturës së futbollit si prioritet, në një takim me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku dhe kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, të enjten në Zuerich.

Sipas njoftimit të FFK-së, kreu i shtëpisë më të madhe të futbollit ka shprehur mirënjohje për progresin që ka bërë futbolli i Kosovës pas anëtarësimit në UEFA e FIFA, teksa u shpreh i bindur se rrugëtimi i suksesshëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Çeku e Ademi paraqitën para Infantinos planin pesë-vjeçar të investimeve të Qeverisë së Kosovës dhe FFK-së në infrastrukturën e futbollit. Ky plan investiv, i cili bëhet në bashkëpunim me MKRS-në, FFK-në dhe Komunat, parasheh përmbylljen e projekteve aktuale të renovimit të stadiumeve, si dhe ndërtimin e stadiumeve të reja me standardet e UEFA-s e FIFA-s.

Lexo më shumë  “Mitrovica pa kryetar”, VV-ja në Mitrovicë shpallë në kërkim Hamzën

“Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e përkrahjes financiare nga FIFA si dhe periudha kohore e përmbylljes së punimeve në stadiumet që janë prioritet nga plani i ministrisë. Presidenti Infantino u shpreh i lumtur me shpalosjen e këtij plani dhe lavdëroi seriozitetin e këtij projekti, teksa theksoi se ndjehet i lumtur që Qeveria dhe Komunat janë afër FFK-së, pasi sipas tij kjo ndihmon që projeket e tilla madhore të realizohen më lehtë. Infantino lavdëroi shtetin e Kosovës që e ka vendosur si prioritet përmirësimin e infrastrukturës së futbollit në vend, teksa tha se Kosova ka talente të shumta në futboll, prandaj edhe e meritojnë që t’u krijohen kushtet sa më të mira për ta zhvilluar talentin e tyre”, thuhet në njoftim.

Infantino u shpreh i sigurt se Kosova në ndeshjet e ardhshme do të ketë sukses.

“Gjatë këtij takimi u dakordua që përmes FFK-së të vazhdojnë kontaktet tripalëshe në realizimin e projekteve, derisa Infantino edhe një herë përgëzoi krerët e FFK-së për punën e bërë dhe ua bëri prap me dije që dera e FIFA-s është gjithmonë e hapur për ta, pasi ata janë pjesë e familjes së madhe të futbollit botëror dhe se siç theksoi Kosova për të është një vend i veçantë”, vijon njoftimi i tyre.

Infantino kishte vizituar Kosovën vjeshtën e kaluar. Ai edhe në takimin e sotëm falënderoi Çekun e Ademin për mikpritjen që iu dhurua në Prishtinë.

Çeku e Ademi u takuan dje edhe me kreun e UEFA-s, Aleksandër Ceferin.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *