India po ia ngul thikën në shpinë Perëndimit
BILD
Tashmë është zyrtare: ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov do të udhëtojë në Indi këtë javë për të përgatitur disa marrëveshje të reja për tregti. Plani i tij: ai synon të minojë sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë- India mund të na e ngulë neve thikën pas shpine.
Duke pasur parasysh njoftimin e BE-së se do i japin lamtumirën furnizimeve me qymyr, naftë dhe gaz nga Rusia sa më shpejt të jetë e mundur, Moska aktualisht po kërkon alternativa posaçërisht në Azi. Përveç Indisë, vend i G20-ës, Indonezia ka sinjalizuar interes për të blerë naftë ruse.
India- vendi i dytë më i populluar në botë- ka një rëndësi të veçantë për Rusinë. Demokracia më e madhe në botë nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore lidhur me pushtimin rus të Ukrainës, por po ndjek një kurs kryesisht neutral.
Ndërsa Nju Delhi ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë, ai ka refuzuar të dënojoë në mënyrë eksplicite veprimet e Moskës. Qeveria ka abstenuar nga votimi për disa rezoluta të OKB-së për luftën.
Presidenti amerikan, Joe Biden e ka kritikuar qëndrimin e indianëve. Edhe pse u pëlqen që të punojnë bashkë me SHBA kundër Kinës, qeverisë indiane nuk i intereson konflikti në Europën e largët.
Tani, si për inat të europianëve dhe amerikanëve, ka të dhëna se India mund të bëhet një nga përfitueset e konfliktit perëndimor me Rusinë, duke mbështetur kështu qeverinë në Moskë.
Deri më tani, Rusia është furnizuesi kryesor i Indisë me pajisje në fushën e mbrojtjes, por tregtia e kombinuar vjetore mes dy vendeve është ende shumë e vogël. Ajo ka arritur mesatarisht në vetëm 9 miliardë dollarë gjatë viteve të fundit.
Për krahasim, tregtia dypalëshe e Indisë me Kinën arrin në më shumë se 100 miliardë dollarë në vit. Por mes uljeve të ndjeshme të çmimit të naftës të papërpunuar ruse nga sulmi në Ukrainë, India ka blere që tani 13 milionë fuçi, krahasuar me gati 16 milionë fuçi të importuara nga Rusia për të gjithë vitin e kaluar.
Tani India po konsideron gjithashtu dyfishimin e importeve të qymyrit dhe çelikut rus. India gjithashtu kohët e fundit nënshkroi një marrëveshje për të blerë 45 mijë ton vaj luledielli rus në prill- për të zëvendësuar furnizimet e dështuara nga Ukraina. “India do të importojë më shumë mallra nga Rusia, veçanërisht nëse ka zbritje,” tha një zyrtar i lartë i qeverisë indiane.
Vendi mund t’i sigurojë Rusisë këmbimin valutor shumë të nevojshëm dhe po shërben si shembull për diktatorin rus, Vladimir Putin, që mendon se mund t’i rezistojë sanksioneve perëndimore.
India po anashkalon gjithashtu sanksionet financiare perëndimorë kundër Rusisë, të cilat përfshijnë përjashtimin e një numri bankash ruse nga sistemi SËIFT.
Qeveria e Nju Delhi po përpiqet të krijojë një sistem tregtimi rupi-rubla. Bisedimet mes zyrtarëve indianë dhe rusë kanë nisur tashmë.
Kjo mund të përshpejtojë shkëputjen e vendeve më të populluara në botë nga transaksionet në euro dhe dollarë. Qeveria indiane dhe Banka e Rezervave e Indisë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Rruga Press