Inceneratorët, dështim me sukses i Bashës e Tabakut. Ja si hetimi parlamentar i “vuri kapak” aferës
Nga Boldnews.al
“Nëse do të mbyllësh një çështje, ngri një komision hetimor parlamentar”. Kjo është shprehja e thënë nga Kryeministri britanik, Winston Churchill, e cila duket se i përshtatet më së miri asaj që ndodh në Shqipëri.
Pak më shumë se 3 muaj më parë, Lulzim Basha, në kulmin e përplasjeve të brendshme në PD, pasi vendosi përjashtimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar, deklaronte nismat parlamentare të partisë që drejtonte dhe paralajmëronte betejat e forta me Edi Ramën.
Një nga këto nisma ishte afera e Inceneratorëve, plot 400 mln euro të dhëna për 3 djegësa, Tiranë, Elbasan dhe Fier, që konsiderohen si skandali më i madh korruptiv në të gjithë vitet e tranzicionit.
Nisma u depozitua në Kuvend, u dha konsensusi nga Partia Socialiste dhe hetimi nisi me vrull, ashtu sikundër nis çdo çështje, për të cilën palët dakordësohen në distancë për ta fundosur.
Kjo ndodhi me hetimin parlamentar të Inceneratorëve, një komision që me 3 muaj mandat, më shumë do të mbahet mend për ankesat publike të Jorida Tabakut se administrata e Edi Ramës nuk i jepte informacione, se sa për ndonjë dokument të zbardhur, përtej atyre që mediat kanë publikuar muaj e muaj më parë.
Zyrtarisht Komisioni Hetimor për Inceneratorët i drejtuar nga deputetja Tabaku u mbyll me 28 janar, ndërsa ajo në disa deklarata publike akuzonte socialistët se ishin kthyer në një mburojë për aferën korruptive. Në fakt kjo pritej dhe ndoshta edhe më i painformuari në këtë vend do të ishte i përgatitur që qëndrimi i deputetëve të PS do të ishte në mos bllokues, aspak në funksion të hetimit.
Gjithsesi një moment që tregon shumë mbi atë që ka ndodhur me konsensusin ndoshta të Bashës dhe Ramës është jo thjesht dëshira e Partisë Socialiste për të ndalur zhurmën, por edhe dakordësia e linjës zyrtare të PD-së për ti dhënë fund hetimit.
Çfarë ndodhi më konkretisht?
Bazuar në rregulloren e Kuvendit, në rastet kur një Komisioni Hetimor i duhet më shumë kohë për të hetuar, është Byroja Parlamentare, e cila merr një vendim. Ky i fundit bazohet në një kërkesë, e cila depozitohet në Byro nga Kryetari/ja e Komisionit, në rastin konkret duhej të depozitohej nga deputetja Tabaku. Më pas do të ishte Byroja e Parlamentit që merrte një vendim, i cili bazuar në numrin e votave, ku shumica i përket socialistëve, sigurisht që do të ishte jo në favor të zgjatjes së hetimeve. Por në rastin konkret mungoi edhe kërkesa, çka do të thotë se Tabaku dhe me shumë gjasë edhe Lulzim Basha dhe çdo i emëruar prej tij në kryesinë e Grupit Parlamentar, kanë qenë dakort për të ndalur hetimin për inceneratorët.
Kjo është ajo që ka ndodhur, duke bërë shumë zhurmë, por me dakordësi të plotë, mes një pale që përfaqësonte Edi Ramën, e cila luajti rolin e saj duke bllokuar hetimin, dhe palës tjetër që përfaqësonte Lulzim Bashën, për të bërë sikur po hetonte.
Arsyeja?
Ish-Kryeministri Sali Berisha nga foltorja e Parlamentit do të deklaronte se afera e inceneratorëve duhej të hetohej nga një Komision i ri, ku anëtarët nuk duhej të ishin të përfshirë në aferën, duke akuzuar drejtpërsëdrejti Lulzim Bashën si të implikuar në çështjen e inceneratorëve. Sigurisht që Basha mohon akuzat, por historia me hetimin parlamentar lë një shije aspak të mirë.
Në 3 muaj, Komisioni debatoi mbi planin e hetimit, që herë dakordësohej dhe herë jo, ndërsa me firmën e Tabakut niseshin kërkesa në banka dhe institucione duke pritur përgjigjet. Më pas vinin përgjigjet refuzuese, ose kërkesat kalonin pa një përgjigje dhe Tabaku njoftonte se do të kallzoheshin penalisht drejtues institucionesh se po shkelnin ligjin. Me pak fjalë gjithçka u ndërtua mbi një show dhe palët, në rastin konkret opozita e Lulzim Bashës, u fokusua te propaganda, duke bërë të njëjtën lojë si edhe socialistët e Edi Ramës.
Paralelisht ndodhi goditja që SPAK i bëri ish-ministrit Lefter Koka lidhur me inceneratorin e Elbasanit, e cila më shumë se në funksion të një hetimi penal, u duk se po çonte ujë në mullirin e Partisë Socialiste, që e përdori si një argument më shumë mbi çështjen, duke thënë se ajo po hetohej penalisht dhe gjithçka tjetër ishte e kot.
Dhe çuditërisht goditja e Kokës nga SPAK ndodhi pikërisht në kohën kur Mirel Mërtiri, i shpallur në kërkim bashkë me Klodian Zoton dhe Stela Gugalljan, i çonte letra bankave që mos jepnin informacione, dhe Bankat i bindeshin klientit të tyre, ndërsa Tabaku në mbledhjen e rradhës kishte me se të merrej, denoncimin se kërkesat ishin pa përgjigje.
Në fakt Komisionet Hetimore nuk është se kanë ndonjë fuqi në aspektin e hetimeve penale, por nëse ata funksionojnë dhe kanë vullnet mund të zbardhin për publikun një skandal apo aferë, qoftë edhe duke nxjerrë në sipërfaqe dokumente që nuk mund të arrihen nga mediat, sikundër ka ndodhur deri më sot.
Por edhe kjo nuk ndodhi, pasi pothuajse të gjitha dokumentet e kërkuara nuk iu vunë në dispozicion Komisionit, i cili për më tepër as nuk ngjalli ndonjë shpresë në opinionin publik se do të mund të arrinte qëllimin për të cilin u ngrit. Komisioni Tabaku nuk ishte në gjendje të bindte asnjë drejtues institucioni për të depozituar qoftë edhe një shkresë përtej atyre të publikuara nga mediat, çka sërisht le një shije jo të mirë për seriozitetin me të cilën Lulzim Basha dhe të tijët e trajtonin çështjen.
Nëse do të zhvendoseshim në kohë dhe do të bënim një krahasim mes këtij Komisioni dhe atij të vitit 2003, i cili gjithashtu drejtohej nga opozita, kur në pushtet ishin socialistët dallimet janë të mëdha.
Në 2003-in u ngrit një Komision Hetimor për Bashkinë e Tiranës që drejtohej nga Edi Rama dhe në sitë kaluan me dhjetra dosje që hodhën dritë mbi atë që kishte ndodhur jo vetëm me fasadat e Ministrive, por edhe mbi ato rrugët që rikonstruktoheshin në atë kohë. Madje u angazhua një ekip ekspertësh që merrnin në detaje nëse ishin respektuar parametrat e rrugëve, deri edhe te materialet që ishin përdorur për shtrimin e tyre.
Dhe pavarësisht çdo përplasjeje dhe tensioni, ky Komision arriti të hartonte një dosje, ta çonte në Prokurorinë e Përgjithshme, edhe pse nuk pati një hetim penal ndaj Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij në atë kohë.
Sot në 2022, kemi një Komision që u mjaftua me dërgimin e shkresave nga një institucion në tjetrin, ndërsa kryetarja e tij, Jorida Tabaku, e pa të paarsyeshme që edhe në respekt të kolegëve të saj të opozitës, të shkruante dy rrjeshta në një kërkesë formale për t´ia përcjellë Byrosë Parlamentare.
Në fakt dështimi që ndodhi me hetimin e Inceneratorëve nuk është as i pari dhe ndoshta as i fundit, kur një Komision Parlamentar shërben jo për të hedhur më shumë dritë mbi një aferë apo skandal, por për të fundosur sa më thellë çështjen, aq sa mund të duhet shumë kohë për ta rinxjerrë sërisht në sipërfaqe.
Por kjo është hera e parë në rreth 40 Komisione hetimore Parlamentare të ngritura në 30 vjet, kur mund të mos kemi raporte, qoftë të mazhorancës ashtu edhe të opozitës. Dhe kjo nuk do të arrihej kurrësesi pa kontributin e Lulzim Bashës si inisiatori për nisjen e hetimit dhe Jorida Tabakut si Kryetare e emëruar e Komisionit.
Rruga Press