Inaugurohet busti i heroit Rrustem Bruqi në Isniq, Kurti: Lum familja që e rriti dhe lum Kosova që e pati ushtar
Është inauguruar sot busti i heroit Rrustem Bruqi, në sheshin ‘’Rrustem Bruqi’’, në Isniq të Deçanit.
Kryeministri Albin Kurti i ka përcjellë famijes Bruqi një telegram të cilin e ka lexuar moderatori i ceremonisë.
Në këtë ngjarje e pranishme ishte zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz.
Letra e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara familje Bruqi,
Të nderuar banorë të Isniqit e të Deçanit,
Më vjen mirë që një muaj prej kur janë bërë 26 vite nga rënia e dëshmorit, Rrustem Bruqi, figura e tij prej patrioti po lartësohet dhe po fiksohet në një vepër arti në vendlindjen e tij në Isniq.
Historia moderne e Kosovës dhe veçanërisht gjysma e dytë e shekullit XX, është e dendur me ngjarje dhe procese që lidhen me personalitete të caktuara historike, në biografitë e të cilëve mund ta lexojmë vetë historinë e Kosovës. I tillë është edhe rasti i Rrustem Bruqit, jetëshkrimi i të cilit mund të lexohet edhe si një përshkrim i modelit kulturor të intelektualit të angazhuar dhe patriotit të përkushtuar për vendin dhe për kombin e tij.
E them këtë për Rrustem Bruqin duke qenë në dijeni të jetës së tij aq të ngjeshur me aktivitete, përkatësisht të veprës së tij patriotike që nga rinia e hershme e derisa ra dëshmor, këtu e 26 vite më parë. I lindur më 1958, kur Rrustem Bruqi i regjistroi studimet për jurisprudencë në Universitetin e Prishtinës më 1978, vetëm tetë vite pas themelimit të universitetit, t’i vijoje studimet universitare atë kohë ishte edhe një akt patrioitizmi në vetvete.
I angazhuar qysh nga demonstratat e pranverës së vitit 1981, Rrustem Bruqi u kthye në një njeri tejet aktiv, duke i shfrytëzuar të gjitha rrugët dhe metodat, legale dhe ilegale, paqësore dhe të armatosur, për organizime dhe për rezistencë, për aktivizëm dhe deri për luftë çlirimtare. Kur i dëgjoni rrëfimet nga të afërmit dhe shokët e Rrustemit apo kur lexoni për jetën e tij nëpër tekste biografike, e kuptoni që një jetë e kaluar me aq shumë aktivitete si në Isniq e në Deçan sa ishte në Kosovë, ashtu edhe gjatë katër viteve që i kaloi në Gjermani, nuk mund të përmbyllej ndryshe veçse ashtu si u përmbyll. Andaj natyrshëm, në qershor të vitit 1998, Rrustemi u kthye nga Gjermania në Kosovë duke iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në frontet e luftës. Dhe po kaq natyrshëm, Rrustem Bruqi ra dëshmor më 6 korrik 1998, duke e përmbyllur jetën dhe veprën e tij me aktin më sipëror të një individi për liri, si dëshmor i popullit dhe vendit të tij në luftën e tij të drejtë për çlirim.
Lum familja Bruqi dhe Isniqi që e rriti e formoi dhe lum Kosova që e pati ushtar të saj deri në vdekjen e tij, Rrustem Bruqin, dëshmorin e lirisë së Kosovës. Lavdi Rrustem Bruqit dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë.
Rruga Press