Il Fatto Quotidiano: Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria në drejtimin e Ramës cilësohet narko-shtet nga gazetarët italianë
Nga Franz Baraggino, IL FATTO QUOTIDIANO
Gjatë fjalës së saj në tubimin e partisë “Fratelli d’Italia” në Pescara, duke folur për emigracionin, kryeministrja Giorgia Meloni iu rikthye marrëveshjes së bërë me Shqipërinë për ngritjen atje të dy qendrave për emigrantët, nën juridiksionin italian. Në themel, kryeministrja sulmoi emisionin “Report” në RAI3 i cili ditët e fundit ka transmetuar një reportazh për protokollin me Tiranën.
“Kur bëmë një marrëveshje të hapur me Edi Ramën, e majta propozoi ta përjashtonte atë nga socialistët evropianë. Në vend që ta falënderonte që kishte vepruar në emër të solidaritetit europian, ata e linçuan”, – tha Meloni që më pas shtoi: “Edhe Tele-Meloni, ju e dini atë, e njihni Tele-Melonin? Ai krijoi një raportim për Shqipërinë në të cilin e portretizonte atë si një narko-shtet. Më ndihmoni t’i dërgoj solidaritetin tonë Ramës dhe gjithë popullit shqiptar” – tha ajo duke u pasuar nga një duartrokitje e gjatë.
Por pas një kontrolli që u bëmë lajmeve të kohëve të fundit, mund të themi se emisioni i Sigfrido Ranucci nuk arriti të ishte as origjinal. Kjo pasi që vitin 2020, kishte nga ata që e akuzonin Shqipërinë si narko-shtet, edhe në Itali. Atëherë nuk ishte emisioni “Report” apo ndonjë eksponent i së majtës. Në një artikull për “Il Giornale” të 2 prillit 2020, intelektuali i djathtë dhe presidenti i Fondacionit Tatarella, gazetari Francesco Giubilei, pretendonte se 30 mjekët e dërguar nga Tirana në atë kohë, për të mbështetur Italinë që po luftonte me pandeminë, ishin në realitet një operacion propagandistik nga qeveria e Edi Ramës.
Një qeveri “jokushtetuese” për shkak të “parregullsive në zgjedhje”, sipas deklaratave të presidentit të atëhershëm të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ishin tezat e përdorura nga Giubilei. “Sipas ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Sali Berisha “Shqipëria është kthyer në një lloj diktature të bazuar në trafikun e drogës, një narko-shtet të vërtetë” – raportoi në atë kohë Giubilei, një tezë të cilën ai e shpjegoi edhe në profilin e tij në Facebook.
Një shkrimtar prodhimtar, në një moshë shumë të re Giubilei botoi librin “Giovinezza”. Në vitet e tij të mëvonshme ai i kushtoi një vëllim të tërë Giorgia Melonit, të cilën e quante “një prej liderëve politikë më të dashur nga italianët”. Ishte ende viti 2020, kur kreu i “Vëllezërve të Italisë” ende nuk kishte kërkuar duartrokitje për Ramën dhe nuk pretendonte në çdo rast miqësinë mes Italisë dhe Shqipërisë.
Sot gjërat kanë ndryshuar edhe për Giubilei, i cili flet për një “rezultat të rëndësishëm” sa i takon marrëveshjes me Tiranën. Me pak fjalë, nëse në mes të pandemisë ai pretendonte se nga Tirana kishte ardhur një “Kalë Troje” si dhuratë, sot nuk e bën më. Me gjithë respektin po japim më shumë detaje për atë që ai shkroi atëherë.
“Çdo vit në Shqipëri krijohet një fond miliarda dollarësh për pastrimin e parave të drogës edhe falë bashkëpunimit shumë të ngushtë me kartelet e Amerikës së Jugut. Janë tonelata drogë që eksportohen në Itali dhe Evropë. Kuptoni që për antimafien italiane, trafiku i heroinës është pothuajse ekskluzitet i mafias shqiptare. Një narko-shtet nuk mund të krijohet pa bashkëpunimin e politikës”, – thuhet në artikull, duke cituar Berishën.
Ai nuk ishte i vetmi që mendonte kështu. “Sipas Fatos Lubonjës, një nga intelektualët kryesorë shqiptarë dhe ish-i burgosur politik për 17 vjet në regjimin komunist: “Ka një trekëndësh pushteti midis botës politike, ekonomike dhe të trafikut të drogës”. “Në Shqipëri mungojnë sistemet imune tipike të demokracisë. Pushteti është në duart e bandave, ka një ekonomi të paqëndrueshme dhe nuk ka perspektivë për të ardhmen” – shkroi Giubilei.
Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, në artikull, Giubilei shpjegon se Rama kishte në duar edhe drejtësisë. Dhe duke folur për një gazetar investigativ shqiptar që ka marrë kërcënime pikërisht për raportimin e trafikut të drogës, ai shton: “Duhet shumë guxim për të denoncuar publikisht logjikën dhe dinamikën e sistemit shqiptar”. Dhe në fakt, sot që Rama dhe Meloni janë miq të mëdhenj, Giubilei kujdeset të mos e bëjë këtë.
“Giorgia është e pabesueshme. Mund të themi se lindi një miqësi”, – lexojmë në një nga intervistat e shumta që kryeministri shqiptar ka dhënë për shtypin italian muajt e fundit. “Por mbi të gjitha – përsërit Rama në disa raste – ajo është një politikane konkrete, larg të qenit një rrezik fashist”. Të paktën për këtë, Giubilei do të jetë në gjendje të gjejë guximin për të rënë dakord./Sjellë në shqip Lapsi.al
Rruga Press