Ideale Iliade/ Për Prindërit e Udhës Pal
Nga Krenar Zejno
Edhe protesta e fëmijëve tanë u shua tanimë. Ndaj po shtyhem sot të ndaj me ta dhe për ta: “Djemtë e rrugës Pal”, udhërrëfyes klasik shtigjesh që shpien nga mituria te maturia.
T’i lypësh me dhunë, miturisë nën dhunë, të shfaqet edhe e matur – tek ngre krye ndaj një fryme dhune dhe vetë deficencës së maturisë- ja një spektakël vërtet mizerabël i miturakes së vërtetë fuqie pushtet. Nga lypset të demonstrojë urtësi dhe kultivojë maturinë.
Vajzave të mia, po ashtu, u ka rënë për hise edhe rruga e protestave qysh kur s’e kishin qartësinë e gjësë. Përdore e pastaj përkrahu, e ca më vonë dorëpërdorë, krahpërkrah. Po ama, jo vetëm. Mirëpo dhe kjo, më shumë nga arsye të tjera lloji vetmish se sa nga zgjedhje e arsyetuar prindi.
Kjo ese-pasthënie, që shoqëron botimin shqip të librit themel adoleshence, mban nëntitull adresimi ambig, si dedikim dhe/ose ftesë leximi: Për prindërit e udhës Pal. Pa shkurtime, ia kushtoj këtu: të miturave në protestë. Dhe vetmisë së qartë të tyre.
Kaq e pat! Dhe tani mund t’i fshini lotët miremirë, edhe me mëngë! Nuk do ketë më këtu histori që të bën për të qarë. E shumta, mund t’ju vëjë ca në provë durimin. Për të vijuar leximin edhe pas fundit të një kryevepre. Si me lëndën e historisë natyrore, qysh në faqen e parë, në orën ku nxënësit mezi prisnin këmborën të bjerë…
Më ka pas shkrehur edhe mua, me lot e me qurre, përfundimi i këtij rrugëtimi. Kambana e shpalljes së trishtimit pjesë e jetës, dhe thirrjes për përballje me durim e dinjitet. Një çilimi sa ushtari Nemeçek qeshë asokohe. Edhe në jeni një çikë më të rritur e posa keni kaptuar pragun për te të rinjtë, prapëseprapë mos e fshihni që keni qarë. Ka ngjarë po kështu, tash kaluar shekulli, me lexuesit e botës mbarë.
“Po pse qan kaq shumë, aman, mu si një çupëlinë që i qepet nënës pas ta marrë në krahë!”. Ja, kështu, kështu i pat thënë Akili Patroklit, teksa ky shihte akejtë në Trojë të vdisnin njëpasnjë dhe “i derdheshin lotët çurk, si uji nëpër rrëpirë”. Ama, edhe vetë Akili, kur u vra Patrokli, “u plandos përdhe’ e sokëlliu dhe qau aq shumë, sa e dëgjoi edhe e ëma nga thellësia e detit.”
E sheh pra, edhe heronjtë viganë që Homeri na ka rrëfyer, nuk i fshehin lotët. Dhe, nuk se ngjajnë ca më pak të mëdhenj e burrërorë prej kësaj. Është aq e natyrshme, kaq njerëzore. Është e bukur. Me siguri, te ky epos i epërm i njerëzimit e ka pas mprehur lapsin, si shumë shkrimtarë të tjerë edhe autori ynë, Molnar. E si për të mos na e fshehur as këtë, e shenjon vetinë e besnikërisë në emrin e “personazhit” Hektor.
Mirë, dakord, nxiteni vetveten edhe të rriteni e burrëroheni, siç i jepte vetes kurajë – “mos ki frikë Nemeçek!” – më i vogli trimosh me flamurin në gji. Dikush mund të thotë për kalorësit e Iliadës: se qenë të tjerë burra ata! Mirëpo, në qenkëshit rritur gjer të mbërrini te kjo përgjigje, i bie të jeni vërsnik me Djemtë. Me një fjalë, gati adoleshentë. Simboli i qëndisur “Betohemi se s’do të jemi skllevër”, shpalos dhe devizën rebele të kësaj grupmoshe, qysh kur ende s’ishte përcaktuar si kategori më vete. Kësisoj, do të bëhej letërsia, nisur prej rrugës Pal, e para udhërrëfyese drejt veçorive të saj delikate. Ndaj, ja ku po bëj të rriturin dhe unë, me një këshillë shoqërore: Mos u nxitoni dhe aq të imitoni të bërit veç si të mëdhenjtë e tjerë, por të bëheni… të tjerë të mëdhenj! Është si ndryshimi mes përmasave të objektit dhe rezultati i këtij dallimi në hapësirë. E prej këtej, në hapësirat e kuptimit. Për shembull, gjatësia e shtatit te Nemeçeku nuk e mbërriti dot mesataren e njeriut, kurse lartësia e njerëzores së tij arrin atë gradë cilësish që e tejkalon ku e ku atë. Fusha e çunave shtrihej horizontale, si tërë fushat, ndërsa ai flamur kështjelle majë stivës, valëvitej vertikalisht, si çdo flamur i denjë për simbol. E për të mos rënë në imitimin e profesor Raçit, tek vijon përtej tringëllimës shpjegimin e stenografisë, le të bëjmë një pushim të shkurtër sa të hedhim një sy nga dritarja e çelur…
E kam qarë këtë pjesë të parë! Dhe, siqë mbërritëm cakun e moshës ku çiltërsia, sinqeriteti, kanosen njëherit edhe nga vesi i mëndjemadhësisë, po hidhem nxitimthi në pjesën kushtuar të rriturve. Që vetëm po e pikasën vesin te brezi pasardhës… aty nuk e falin kollaj.
Për ata prindër që s’e kanë pas lexuar, a nuk gjejnë rastin ta rilexojnë këtë libër kur vjen koha t’ua blejnë fëmijëve, nuk do qe keq t’ia u lexonit ju. E nëse do ta gjykonit të përshtatëshme, le të bëheshin me dije edhe për këtë shesë, pjesë që u përket. Nuk besoj se është ky vendi për ruajtje sekreti dhe të fshehtash të vyera të moshës. Po për kë bien kambanat sot? Sot kur, tejendanë, jemi të gjithë në një mendje me përgjigjen, që e kemi në majë të gjuhës: për të mbrojtur e zhvilluar edhe harenë e lojës, lypset të ruajmë e kultivojmë paqen! E që kjo të mos mbetej këtu si ato shprehjet e gatëshme për mbyllje hartimi, kemi ca udhë për të bërë nëpër kthesat e harkimet e “Rrugës Pal”. Mirëpo, si i bëhet që e shkruara për të rritur të na dalë e qartë, pa e rënduar me dykuptimësi e porosi! Pra, troç e saktë, siç e bën vetë libri, tek na lë vetëm me arkëmortin e hapur… dhe mbyllet. Po e vijoj në aleancë me përvojën prej lexuesi, ndihur dhe nga një lloj engjëlli vartës nën komandë të çdo shkruesi që, në lëmë të krijimit, ia njeh borxhin dobisë prej shërbesës së trishtimit (Nga një dorë personazhesh të tillë ka marrë zanafillë pasioni i një arradhe të tërë shkrimtarësh dhe një bote letrash):
– Ushtar Nemeçek, ma mpreh këtë laps! Dhe i vuri në dorë lapsin, që i qe thyer në xhep duke u ndeshur me zaret. Ushtari e mori, e përherë në qëndrimin “gatitu”, po me sytë e përlotur e me faqet e squllura nisi ta mprehë lapsin duke shkrofëtitur e psherëtirë, pas gjithë atij vaji që shkrehu. – Urdhëro, lapsin… e… mpreha… zoti… toger.
Nisemi…! Sot jeni me mijëra ju prindërit që mundeni edhe t’i gëzoni pamasë fëmijët, dhe ja tek niseni t’i shpini mu te “rruga Pal” prej vërteti; të prekin me dorë shtatoret e bronxta në përmasa reale të Djemve. Për shumëkënd nga kontinenti ynë, dihet me sa lehtësi mund t’ia mbërrish tani, fill e te pllakati nga ku, në realitet, zë fill kjo rrugë përkujtimore lojaluftash. Mjaft të sigurosh biletën e udhëtimit për aty. Porse, kjo është një mundësi e siguruar realisht vetëm e vetëm: falë Paqes. Nëqoftëse nuk do të shihej edhe si një monument i saj, si një apel i Jetës dhe thirrje Andromake për të mos i lënë bijtë jetim betejesh, unë them se nuk ia vlen. Pa kushtrimin antiluftë, zor se kjo vizitë sot na e përcjell atë emocion të letrës atëbotë. Qoftë asaj bilete, kartëvizitë kuajoje në kampin kundërshtar, në të cilën qe shkruar mbi të kuqe me germa të mëdha: “KËTU KANË QENË DJEMTË E RRUGËS PAL”.
Sipas ndjesisë sime, do të mjaftonte veç se ky mbishkrim memorial, në vend të tërë atij kompleksi monumental. Mbase do t’ishte më i denjë se ngurrosja e çunave në pozicione të rëndomtë, që s’të bëjnë aspak të reflektosh. As mbi vetë lojën si institucion virtyti dhe bukurie. Druaj se do t’ju zhgënjente. E ç’është më e keqja: pa mëtuar shumëçka edhe prej vetë zhgënjimit! As fotografimi mes tyre s’të bën të ndjehesh një Boka, një Frank, aq më pak një Gavrosh i vonuar. Më pak akoma, kur vetë rrëfenja e librit është ngucur keqas nëpër fletëpalosjet turistike, duke na i paraqitur ata veç si prototipa aktivisti qarqesh ekologjiste. Për të mos thënë që, thellë-thellë, pikërisht ndaj kësi shpërdorimi do kish vend vërtet për të tillë angazhim. Në një fushë delikate në mbrojtje të artit; aty ku ai cënohet nga tregtia dhe ndotet nga efektet e dukjes. Dhe qysh, pa: në emër të sentimentalizmit e përkujdesjes për përmbushjen e dëshirave apo tekave të fëmijëve! E përsëris, është aq zhgënjyese saqë e anullon dhe atë vlerë prej deziluzioni ekzistencial, por në masën e duhur, të një kryevepre klasike. Fshehja e së cilës, është më së paku një naivitet i dëmshëm, që fashit gjer dhe hiret prej naiviteti të dëlirë të të miturve.
Tradhëtar! m’u bë sikur thirri një zë i rreptë që s’po e dalloj dot se prej cilës anë, nga brenda apo kampi kundërshtar. Gjene mirë, qenka dikush që po na sheh e dëgjon!
Ju kujtohet premtimi i Frank Açit, aq burrëror e parimor, të kampit matanë:
Për gjithë arin e botës nuk ma kënda ta pushtoj fushën, kur mos të ketë njeri brenda. Luftën do ta bëjmë si u ka hije burrave të vërtetë dhe… aspak për lakmi.
Tekefundit, ajo çka të dy grupet kishin të përbashkët në fushën që synonin, a nuk ishte bukuria e cilësive të ndeshjes: respekti ndaj guximit dhe dinjitetit të tjetrit?
Në qofsha i gabuar që hyra gjer këtu, me gjasë do të pendohem shpejt. Si Gerebi. Dhe e di, qysh prej këtij libri, se ku ka pendesë ka dhe falje. Në fakt, u nisa të bëja trimin, si Nemeçeku që për hir të së vërtetës e për të vënë në vend nderin e çetës, “tradhëton” vetë qëllimin… për të cilin kish hyrë mu në zemër të fushimit kundërshtar. E ç’është më e bukura, a nuk ishte nga ky gjest që ai do t’u hynte në zemër e vlerësohej nga të më të rriturit e të dy palëve ndërluftuese? Një miniaturë Iliade e guximit; naiv infantil, në dukje, porse në fakt, një sulm i shpallur mes të fortëve: në mbrojtje të së Vërtetës.
Është çështje mase dhe marrëdhënie përmase kuptimi, ashtu si dhe raporti mes kësaj të vërtete dhe gënjeshtrës së bardhë të tij në rastin më pas; kur ati i Gerebit, i vetmi prind i pranishëm në libër, i lyp me zemër të dridhur dëshmi lidhur me tradhëtinë e të birit. Të cilën, Nemeçeku ia fsheh. Ky akt, më shumë se nga një miqësi përkatësie në grup, ngjet në emër të një përbashkësie më të gjerë e kuptimplotë: mbrojtjes së vlerave një brezi. Sidoqë… ai e pëson për së dyti; e kësaj rradhe, edhe prej të tijve. Të cilët, ndonëse të prekur e të penduar, nuk ia dëshmuan dot në të gjallë pendesën. “Nemeçeku i vogël, që u shua si kandili në lulen e moshës, para se t’i kërkonte ndjesë dërgata e Shoqërisë, së paku nuk arriti të shoh tek i fluturon nga duart atdheu, për të cilin ra fli.”
Ai vdes pa e mësuar këtë, por, gjithsesi, më pak keq; pa mësuar as që padroni, zot i truallit, do të na ngrehte aty një pallat… për vete. Ndal! A thua të jetë ky një urdhër i brendshëm për vetëpërmbajtje, për të mos e kaluar masën! Sepse, edhe në truallin metaforik të leximit dhe shkrimit, nuk ka më pak rreziqe se ato të çdo fushe të realitetit. E këtu është vendi për të ndërtuar një paralele nga fusha e shitjeve dhe statistikave. Shifrat dëftojnë se Djemtë e rrugës Pal mbeten ende ndër më të preferuarit e lexuesve të rinj. Komentuesit e sotëm i mveshin kësaj vepre klasike edhe ndjeshmërinë moderne mbi të ligat e modernizimit urban. Pse jo! Si çdo kryevepër, edhe ajo mban peshë sa t’i hedhësh. Themelet e ngrehinës në truallin e ngjarjeve të fushës do të bëheshin njëkohësisht edhe themelimi i fushës së ekologjisë si veprim. Porse, në ka vend për një gjë të tillë mes refleksioneve që çel ai, pikësëpari do qe një “ekologji” virtytesh; ku fusha bëhet edhe një hapësirë lëvrimi marrëdhëniesh e vlerash, mbrojtjeje miqësie, guximi, nderi, detyre, besnikërie; mandej dhe hierarkie, prioritetesh, diplomacie, disipline dhe lirie.
Nga ana tjetër, më vjen ndërmend traktati i lashtësisë “Arti i Luftës”, edhe më i hershëm se Iliada, e në të cilin, gjithashtu, do ta ketë mprehur lapsin sërish shkruesi Molnar. Klasifikimet e vendosin atë ndër më të shiturit libra të kësaj bote të rriturish. Ama, edhe kjo, ngjet jo për vlerat e vërteta që ka, por të tjera që i mvishen ngase ashtu u lypset punëve të sotme të konkurencës së egër të botës së mallrave. Dhe i përshtatin e përveshin veti që s’i shkojnë për shtat garës e ndeshjes së ndershme, dinjitoze. Duke dashur, kështusoj, të justifikojnë miklimin e fitores me çdo kusht, fitimit të pafre, eleminimit mizor të kundërshtarit dhe kapitullimit të tij pa kushte! Sidoqë hartuesi i saj, Sun Zu, na e thotë krejt ndryshe në fakt. Ja, se si: “të marrësh njëqind fitore mbi njëqind beteja nuk është maksimumi i zotësisë: të fitosh pa nevojën për të luftuar, ky është triumfi maksimal”. Madje, na bën me dije se dhe kur ndeshja është e pashmangshme, lypset respektuar i munduri, si i barabartë. Është e vetmja mënyrë në duam ta vlerësojmë veten, pra që s’paskemi fituar veç mbi një karkasë kërme.
E rikujtoj këtë fakt të fundit, për t’u ndërmendur se qysh prej këtij traktati të parë të njerëzimit, na dëshmohet qartazi edhe vetëdija njerëzore për Paqen dhe Dinjitetin si mundësi. Kusht i vetëm për të shpalosur aftësi të vërteta dhe një lavdi të vërtetë.
Fatkeqsisht, në realitet, djemtë e rrugës Pal nuk e mbërritën dot këtë mrekulli. Gjenerata e tyre, anembanë, jetoi kohën e dy luftrave më vdekjeprurëse të rruzullit. Të parën, si adoleshentë; të dytën, një brez i bërë tanimë prindër. Kurse sot, ama, ka vend për një aspiratë madhështore, që çdo ditë e më shumë po gjen hapësirë fushe veprimi. Sot jemi një brez prindërish, dhe prindër të një brezi, që mund ta mbërrijë përjetimin asaj çka s’ka ngjarë askurrë më parë: Përmbushjen e një shekulli të tërë pa një luftë të madhe të përbotshme. Ka për me qenë më e madhja festë e tërë festimeve e gostive të mëdha të tërë luftrave të mëdha, me gjithë marrëzitë marrë sëbashku.
Edhe pak, dhe mund të bëhemi kalorësit magjikë të betejës madhështore: Për Paqen. Më pas, do jetë gjithë e më e thjeshtë, siç zë vend çdo zakon. Dhe ka me qenë zakoni më i hijshëm, më i bukur, i njeriut. E dimë, ajo çka na dallon nga të tjerat qenie në këtë botë, nuk është lufta, gjë që e kryejnë tërë frymorët mbi dhe’, por Fjala. Asgjë nuk bëjnë më shumë kalorësit e Homerit, këta fjalëtarë shëmbullorë madhështie, se sa të fjalosen pa reshtur: veç për të reshtur gjakderdhjen e luftës! E kur shihet edhe me sytë e mendjes, zaten ashtu siç e këqyr fushëbetejën i verbri poet, nuk ka si të mos vërehet detaji se si në Iliadë çdo vringëllimë mes ushtash, heshtash, parzmoresh e patkonjsh në ajër, lëshon shkëndijime të kësaj Shprese të madhe: heshtjen e luftës, për të ndalur heshtjen e mortjes që i lë fëmijët pa etër.
E nëqoftë se lufta është një fatum orësh të liga, apo zemberek i qenies njerëzore, kurdisur vetvetiu a kushedi sesi, atëherë qoftë ajo, së paku, bartëse e vlerave dhe dinjitetit njerëzor. Mbështetur në ideale të njerëzishme bukurie. Ideale bukurie njerëzore. Dhe, dihet e pranohet, lëvrimi me durim i njerëzores, latimi i bukurisë dhe idealit, nuk mund të mos shpjerë: kah Paqja.
Rruga Press