KryesoreLajme

I akuzuari për fyerjen e UÇK-së dënohet me burgim dhe dëbim për pesë vjet nga Kosova

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me pesë muaj burgim të akuzuarin Sasha Zlatkoviq, pasi i njëjti pranoi fajësinë lidhur me akuzën se nxori në rrjete sociale një video-xhirim, ku fyhej logoja e UÇK-së dhe nënat shqiptare.

Shpallja e aktgjykimit ndaj tij u bë të enjten nga gjykatësi i rastit, Kushtrim Shyti. Sipas aktgjykimit, në dënimin e shqiptuar me burgim të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 22.07.2024, ndërsa do t’i vazhdohet edhe masa e paraburgimit nga dita e sotme deri sa ky aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm, por jo më gjatë se koha e dënimit të shqiptuar.

Lexo më shumë  NATO planifikon të ndërtojë një tubacion aviokarburanti nga Gjermania në Poloni dhe Republikën Çeke

Po ashtu, gjykata ndaj të akuzuarit Zlaktoviq shqiptoi edhe dënimin plotësues – dëbim i të huajit nga territori i Republikës së Kosovës në kohëzgjatje prej pesë vite, mirëpo koha e mbajtur në burg nuk i llogaritet në kohëzgjatjen e këtij dënimi.

Gjithashtu, i akuzuari obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë për paushallin gjyqësor shumën prej 100 euro si dhe për Fondin e kompensimit e viktimave të krimit shumën prej 100 euro.

Ndërsa, kërkesë pasurore-juridike në këtë çështje penale nuk pati, kurse palët e pakënaqura kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankese përmes kësaj gjykate në Gjykatën e Apelit.

Pasi që gjykatësi përfundoi shpalljen e aktgjykimit, mbrojtësi i të akuzuarit Zlatkoviq, avokati Shyqyri Syla pyeti gjykatësin nëse dënimi i shqiptuar me burgim mund të zëvendësohet në dënim me gjobë, por këtë nuk e mundësoi gjykatësi Shyti.

Rruga Press

YouTube player