Hyjnë në fuqi masat e reja, sot hiqet ora policore, por mbetet në fuqi maska në ambiente të mbyllura
Ditën e sotme hyjnë në fuqi masat e reja kufizuese të vendosura në mbledhjen e djeshme të Komitetit të Ekspertëve. Nga sot do të hiqet ora policore në vend, ndërkohë që mbetet i detyruar urdhri për vendosjen e maskës në ambiente të mbyllura. Kryetarja e Komitetit të Ekspertëve Mira Rakacolli deklaroi dje se në fuqi do të mbetet edhe ndalimi i grumbullimeve.
“Kuptohet që tashmë kemi një situatë më të favorshme se ajo që kemi pasur edhe një javë përpara. Niveli i masave vazhdon të mbetet i tillë. Ata që janë të infektuar me Sars Cov 2 do qëndrojnë të izoluar për 5 ditë. Vaksinimi si e theksoi edhe profesoresha, duhet të vazhdojë që nga mosha 12-vjeç. Për qytetarët mbetet në fuqi paraqitja e pasaportës së vaksinimit dhe për ata që nuk i kanë këto dokumente vazhdon të mbetet në fuqi izolimi.
Nga ky rregull bëjnë përjashtim fëmijët deri në 6-vjeç. Vazhdon të mbetet në fuqi rekomandimi për mbajtjen e maskës në ambientet e mbyllura. Mbetet në fuqi edhe masat për ndalimin e grumbullimeve në ambiente të mbyllura dhe të hapura. Sa i përket orës policore, mendohet të mos jetë më. Hiqet ora policore. Ndryshimi i këtyre masave do shkojnë në përputhje me situatë”, tha Rakacolli.
Zv/ministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini deklaroi se java e fundit ka shënuar incidencën më të ulët duke vënë theksin te rëndësia e vaksinimit te popullsisë.
“Java e fundit ka shënuar incidencën më të ulët. Referuar të dhënave statistikore krahasuar me vitin e shkuar indikatorët matës kanë tregues shumë më të ulët. Niveli i pozitivitetit është në nivelin e 7.9% krahasuar me javën pararendëse që kanë pasur një nivel më të ulët. Vazhdon puna e strukturave në vijim për vaksinimin në vend në nivel kombëtar”, u shpreh Tomini.
Rruga Press