Bota

Hungaria humb fonde të BE-së në vlerë të 1 miliard eurove

Hungarisë i janë mohuar edhe zyrtarisht fondet e Bashkimit Evropian në vlerë të 1 miliard eurove për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Ky vendim, që është konfirmuar përmes një deklarate të BE-së, të lëshuar më 31 dhjetor, shënon herën e parë që blloku evropian ka vepruar kështu ndaj një vendi anëtar.

Budapesti nuk e ka komentuar vendimin.

Kjo shumë parash ka qenë pjesë e pakos së fondeve prej 19.7 miliardë eurove që janë ngrirë prej vitit 2022, kur Brukseli pati nisur procedura të “kushtëzimit” kundër Hungarisë.

Lexo më shumë  Mijëra u torturuan/ Burgu i Sirisë Deir ez-Zor, tani një gërmadhë

Këto procedura i kanë bllokuar fondet për shkak të dyshimeve se Qeveria hungareze i ka shkelur rregullat për prokurim publik, si dhe parimet për kontrollin dhe transparencën.

Budapesti i ka bërë disa reforma në mënyrë që fondet t’i zhbllokoheshin, mirëpo afati i fundit për lëshimin e fondeve të reja ka skaduar më 31 dhjetor.

Kjo nënkupton që Hungaria i ka humbur fondet në vlerë të 1.04 miliard eurove.

Në një raport të publikuar në korrik, Komisioni Evropian pati thënë se Hungaria nuk i ka plotësuar standardet demokratike të BE-së, sidomos kur është fjala për financim politik, konflikt interesi dhe pavarësi të mediave.

Lexo më shumë  Baerbock: BE-ja nuk do të financojë islamizimin e Sirisë

Kryeministri hungarez, Viktor Orban është zotuar në të kaluarën se do të luftojë për të mbrojtur “paranë që na përket neve”.

“Ata përpiqen vazhdimisht t’i marrin paratë e hungarezëve përmes mënyrave të ndryshme”, ka thënë ai në dhjetor.

Ekonomia e Hungarisë po përballet së fundmi me vështirësi, duke rritur presionin ndaj Orbanit para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2026./REL

Rruga Press

YouTube player