Humbjet në seri të Putinit: Siri, Armeni, Moldavi dhe jo vetëm
Pasiguria mbretëron nëse Rusia mund të mbajë kontrollin mbi bazat e saj ushtarake në Siri, pas rënies së Bashar al-Assad. Një lobist kundër Vladimir Putin e ka përshkruar këtë situatë si një tjetër zhvillim gjeopolitik që ka “poshtëruar” presidentin rus.
Moska shpenzoi kapital të konsiderueshëm financiar dhe politik për të mbajtur Assadin në pushtet gjatë Luftës Civile Siriane, por kapitulli i fundit, në të cilin grupet rebele të udhëhequra nga Hayat Tahrir al-Sham pushtuan Damaskun, i ka dhënë një goditje ndikimit gjeopolitik të Rusisë.
“Ky është një moment poshtërimi për Putinin”, tha aktivisti politik Bill Browder për Times Radio. Browder theksoi se Putin i investoi burimet e tij te Assadi, i cili është rrëzuar dhe unë mendoj se në vazhdimësi, Putini është poshtëruar.
Browder loboi në Kongresin e SHBA për të miratuar Aktin Magnitsky për të ndëshkuar shkelësit rusë të të drejtave të njeriut. Akti mori emrin e avokatit të Browder, Sergei Magnitsky, i cili vdiq në paraburgimin rus pasi ekspozoi korrupsionin në Rusi.
Përveç poshtërimit, Putini përballet edhe me humbjen e portit mesdhetar të Tartus dhe Khmeimim, si dhe aseteve të tjera strategjike në Siri.
“Siria ishte absolutisht jetike për asetet e marinës ruse që vepronin në Mesdhe”, tha zv/admirali amerikan në pension Robert Murrett.
Në kurriz të marrëdhënies së tij me Izraelin, Putini hodhi peshën e tij drejt Iranit, i cili e ka ndihmuar në luftën e tij në Ukrainë. Por bombardimet izraelite e kanë dobësuar Teheranin si dhe aleatët e tij në Boshtin e Rezistencës – Hezbollahun e Libanit. Kremlini do të luftojë për të mbajtur ndikimin në Siri, por humbja e kontrollit mbi Sirinë i jep një goditje tjetër Putinit.
“Gjëja që është absolutisht kyçe këtu është fakti se kufijtë e Sirisë kanë kaq shumë vende të tjera që janë të rëndësishme përsa i përket marrëdhënieve ruse – jo më pak Iraku, por edhe Libani, Izraeli, Jordania, Turqia e kështu me radhë”, shtoi Murrett.
Duke analizuar pamundësinë e Putinit për të ndihmuar Assadin, ashtu siç bëri në vitin 2016 me bombardimet ruse në Alepo, duke mbajtur në pushtet Assad-in, Browder shprehet se Putin gjithashtu braktisi Armeninë, ku kishte një prani ushtarake.
Ekonomia e Armenisë është e lidhur ngushtë me atë të Rusisë, por kryeministri i saj, Nikol Pashinyan, tha javën e kaluar se Jerevani nuk do të rivendoste marrëdhëniet me Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), blloku i udhëhequr nga Moska që konsiderohet një alternativë ndaj NATO-s.
Armenia u zemërua nga mosveprimi i Moskës kur Azerbajxhani fqinj nisi një operacion në rajonin separatist të Nagorno-Karabakut, i cili kishte strehuar një popullsi me shumicë armene etnike, por e njohur ndërkombëtarisht si e kontrolluar nga Baku.
Browder tha gjithashtu se Putini ka probleme me vendet në sferën e Moskës që nuk janë të lidhura me burimet ushtarake. “Ai humbi zgjedhjet në Moldavi”, tha Browder për Times Radio, duke shtuar se “gjithashtu në Rumani nuk funksionuan gjërat ashtu siç Putin i mendonte”
Presidentja pro-BE e Moldavisë Maia Sandu fitoi në një fushatë zgjedhore që ajo pretendoi se përfshinte ndërhyrje “të paprecedentë” nga Moska. Rusia ka mohuar pretendimet për ndërhyrje në procesin zgjedhor atje, ndërsa në Rumaninë fqinje, Gjykata Kushtetuese anuloi raundin e parë të fituar nga kandidati i ekstremit të djathtë pro-Putin, Calin Georgescu.
“Pastaj ka një pikëpyetje të madhe për Gjeorgjinë dhe pyetja përfundimtare sigurisht që është Ukraina”, shtoi Browder. Gjeorgjia është përfshirë nga protestat pasi partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane tha se do të pezullonte bisedimet për pranimin në BE deri në vitin 2028.
Rezistenca popullore që po ndodh në Gjeorgji përfaqëson një kundërvënie të interesave ruse, të cilat nga pikëpamja strategjike, Putini dëshiron t’i ruajë, madje edhe t’i zgjerojë.
Në rajonin separatist Abkhazi të Kaukazit jugor, protestat i shtynë autoritetet të tërhiqnin një projektligj, që do të rriste praninë e Rusisë.
Aslan Bzhania dorëzoi dorëheqjen e tij si lider i Abkhazisë përpara zgjedhjeve të reja.
Grupi Ndërkombëtar i Krizave tha se protestat nuk sinjalizonin një lëvizje kundër Moskës dhe kishin për qëllim Bzhania, megjithatë projektligji dhe protestat “tregojnë potencialin për trazira të mëtejshme” që do të sillnin një “rrezik real të dhunës dhe destabilitetit”.
Rruga Press