Opinion/Aktualitet

“Humbja, katastrofë kombëtare”/ KLSH: Fondi i vlerave të rralla në Bibliotekën Kombëtare, në risk të lartë

Biblioteka Kombëtare edhe pas dy incidenteve të ndodhura vite më parë me një përmbytje dhe një zjarr në mjediset e saj vijon të mbetet në të njëjtat kushte.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) nënvizoi se auditimi i kryer së fundmi nuk gjeti asnjë përmirësim në raport me atë të mbajtur 6 vite më parë, përkundrazi godina është amortizuar edhe më shumë ndërkohë që risku është rritur.

Për KLSH-në ajo që përbën problem serioz është sidomos mungesa e hapësirave dhe kushteve në të cilat ruhet sot fondi i vlerave të rralla duke theksuar se humbja e tij do të ishte katastrofë kombëtare.

“Ajo që është shqetësuese është se edhe sot pas 6-vitesh nga auditimi i fundit situata vazhdon e njëjtë dhe më problematike pasi sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë amortizohet ndërtesa, duke sjellë një risk të lartë si në rënien e zjarrit ashtu edhe në përmbytjen e katit të parë, ku ruhet edhe fondi i vlerave të rralla, që për vetë rëndësinë që ai ka do të ishte “katastrofë kombëtare” humbja e tij.

Lexo më shumë  Pas 83 vitesh, Kosova do të duhej ta aneksonte Shqipërinë, përndryshe shumë shpejt Serbia ka për ta aneksuar Shqipërinë

Që prej vitit 1986 është ndjerë mungesa e hapësirës për të vendosur materialet bibliotekare në fond, çfarë ka detyruar që jashtë çdo standardi botëror të gjenden zgjidhje provizore të natyrave të ndryshme: · Materialet bibliotekare nuk vendosen në rafte, por në dysheme;

·Fondi i vlerave të rralla (antikuar dhe dorëshkrime) vendoset pjesërisht në arka metalike jashtë çdo normative e standardi ndërkombëtar” thuhet në dokumentin e KLSH.

Në tërësi audituesit kanë konstatuar se shërbimi bibliotekar dhe veçanërisht Biblioteka Kombëtare e ushtron aktivitetin e saj në kushte të vështira, jo të denja për një institucion të tillë, simbol të kulturës kombëtare. Problemet janë të shumta duke nisur nga kriza e hapësirave për librat tek mungesa e hapësirave për lexuesit, mungesa e hapësirave për personalin punonjësit.

Një element i rëndësishëm i marrë në analizë ka qenë ecuria e procesit të digjitimit që përbën sfidën teknologjike të Bibliotekës Kombëtare por hapat që janë hedhur nuk kanë pasur përcaktime të qarta mbi objektivat duke e bërë të vështirë vlerësimin ndër vite.

Lexo më shumë  Pas 83 vitesh, Kosova do të duhej ta aneksonte Shqipërinë, përndryshe shumë shpejt Serbia ka për ta aneksuar Shqipërinë

Duket se edhe autoritetet e lidhur me bibliotekën nuk kanë qenë efektivë.

“Këshilli Shkencor dhe Këshilli Administrativ i Bibliotekës rezulton të kenë qenë joefektiv, duke mos përmbushur detyrat e tyre funksionale në kundërshtim me nenin 16 dhe 17 të Statutit të BK miratuar me Urdhër nr.70, datë 13.02.2015, si dhe nenin 6 të Rregullores nr.136, datë 15.09.2010 “Për organizimin dhe funksionimin e Bibliotekës Kombëtare”, duke sjellë mungesë në gjurmën e auditimit, mungesë të planeve të veprimtarisë studimore dhe mungesë te eficencës, efektivitetit dhe ekonomicitetit të aktivitetit të BK-së, në procesin e digjitalizimit” thuhet në auditim./Monitor

YouTube player