Human Rights Watch: Rusia ka përdorur mina tokësore të ndaluara kundër personelit ushtarak në Ukrainë
Forcat ruse që luftojnë në Ukrainë kanë përdorur mina të ndaluara kundër personelit ukrainas në rajonin lindor Kharkiv të vendit, sipas Human Rights Watch.
Organizata ndërkombëtare tha se minat kundër personelit ushtarak u gjetën nga teknikë ukrainas të asgjësimit të mjeteve shpërthyese më 28 mars.
“Rusia dihet se posedon këto mina tokësore të vendosura rishtazi, të cilat mund të vrasin dhe gjymtojnë pa dallim njerëz brenda një rrezeje të dukshme prej 16 metrash,” tha HRW, duke shtuar se Ukraina nuk e posedon këtë lloj minash tokësore ose sistemin e saj të shpërndarjes.”
“Vendet anembanë botës duhet të dënojnë me forcë Rusinë për përdorimin e minave tokësore të ndaluara kundër personelit në Ukrainë”, tha Steve Goose, drejtori i armëve i Human Rights Watch. “Këto armë nuk bëjnë dallime midis luftëtarëve dhe civilëve dhe lënë një trashëgimi vdekjeprurëse për vitet në vijim.”
Traktati ndërkombëtar i Ndalimit të Minave i vitit 1997 ndalon tërësisht përdorimin, prodhimin, grumbullimin dhe transferimin e minave kundër personelit. Rusia nuk është në mesin e 164 vendeve që i janë bashkuar traktatit, tha HRW.
“Përdorimi i minave kundër personit nga Rusia në Ukrainë shkel qëllimisht normën ndërkombëtare kundër përdorimit të këtyre armëve të tmerrshme”, shtoi Goose.
Rruga Press