Hoxha: Ndërkombëtari perëndimor duhet ta dijë se nuk është ura e Ibrit problemi, por ura e mbyllur brenda perëndimorit, ajo urë që mban të ndara drejtësinë dhe paqen
Nga Elvis Hoxha
Ndonjë ndërkombëtar thotë se hapja e urës mund të shkaktojë shpërthim dhune.
Na është thënë gjithnjë se duhet të mundësohen urat e bashkëpunimit. Ura ka qenë gjithnjë simbol i bashkëpunimit dhe komunikimit.
Duket se ndërkombëtari ka ndonjë përshtypje të keqe për anën tjetër të urës. Por nuk e thotë haptas arsyen e frikës së tij. Kështu që ura, në vend që të mbështetet mbi anët e lumit, mbetet varur në ndjesitë e ndërkombëtarit.
Ndonjëherë ndërkombëtari do të donte më mirë ta bënte lumin oqean se të hapte një urë.
Ose ndoshta do të donte që ajo urë mos të ekzistonte, nëse nuk do të shërbente për të spastruar shqiptarët nga veriu në jug të Mitrovicës.
Për ndërkombëtarin ndoshta ura është ndërtuar për spastrim e jo për komunikim.
Ndërkombëtari po ia ka frikën Serbisë?
Kjo është pyetja për ndërkombëtarin dhe jo për qeverinë e Kosovës. Sepse ndërkombëtarët po bashkëpunojnë sipas qejfit me Serbinë, ndërsa kjo me vullnet të plotë me Rusinë. Ndërkombëtarët po e respektojnë Serbinë, pikërisht kur kjo po kërcënon pavarësinë e Malit të Zi, shtet anëtar të NATO-s.
Ndërkombëtarët po merren me urën e Ibrit, sepse nuk dinë si të ndërtojnë ura mes tyre. Scholtz bën marrëveshje për litiumin, ashtu si Schroederi, paraardhësi i tij, me Rusinë. Francezët rreken të kenë kontrata në Beograd. Hilli i kërkon falje serbëve për bombardimet e NATO-s. A është Hilli me politikën e Trumpit kundër NATO-s?
Është urgjente pra jo të mbahet mbyllur një urë mbi Ibër, por që ndërkombëtarët perëndimorë të kuptojnë njëri-tjetrin dhe veten. Kur Perëndimi ta kuptojë veten, ka ndonjë shpresë që Putini dhe Vuçiçi të mendohen dy herë para se të vrasin opozitën në shtetet e tyre.
Ndërkombëtari perëndimor duhet ta dijë se nuk është ura e Ibrit problemi, por ura e mbyllur brenda perëndimorit, ajo urë që mban të ndara drejtësinë dhe paqen.
Rruga Press