Hovenier: Të arriturat e Kosovës një mrekulli, duhet ende punë
Ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se Kosova ka arritur shumë në 13 vitet e shkurtra të pavarësisë, por se ka ende shumë punë për tu bërë.
Në një video prezantim të tij, të publikuar në faqet zyrtare të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Hovenier,ka thënë se Kosova dhe historia e Kosovës nuk janë të panjohura për të, pasi ka qenë pjesëtar i delegacionit amerikan në Procesin e Rambujesë e po ashtu, në vitin 2006, ka qenë në ekipin e OKB-së, i udhëhequr nga i dërguari i posaçëm Marti Ahtisaari, që ishte përgjegjës për negociatat për statusin.
Ai është shprehur i përkulur nga besimi që presidenti Biden dhe sekretari Blinken ia kanë dhënë për të udhëhequr misionin e SHBA-së në Kosovë.
“Kosova dhe historia e saj nuk janë të panjohura për mua. Gjatë dekadave të fundit, së bashku me kolegët e mi, kam pasur nderin që në funksione të ndryshme të përfaqësoj interesat e SHBA-së në mbrojtjen e popullit të Kosovës, sovranitetit dhe pavarësisë së saj. Në shumë mënyra, unë mishëroj përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përgjatë dekadave ndaj juve dhe vendit tuaja”, ka thënë Hovenier.
Ai ka thënë se është i ngazëllyer se çka mund të arrihet së bashku për të ardhmen e Kosovës.
“Të arriturat e Kosovës përgjatë 13 viteve të shkurta, janë thjesht mrekulli, një demokraci e gjallë, ekonomi e aftë, si dhe lidershipin që Kosova e përçon përtej kufijve të saj. Megjithatë ende ka punë të pakryera dhe ja premtimi im para jush: duke punuar me udhëheqësit qeveritarë, aktivistët e shoqërisë civile dhe gjithë popullin e Kosovës, ekipi im dhe unë do të vazhdojmë të avokojmë për interesat dhe vizionin tonë të përbashkët. Së pari, një Kosovë plotësisht të angazhuar dhe të integruar në rajon, dhe në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, me marrëdhënie të përmirësuara, të normalizuara me fqinjët e saj. Së dyti, një Kosovë me institucione publike të qëndrueshme, të besueshme dhe efikase që ofrojnë shërbime, ndajnë drejtësi, i mbrojnë të drejtat dhe liritë e të gjithë kosovarëve dhe së treti, një Kosovë me ekonomi të qëndrueshme, dinamike që tërheq investime mbron mjedisin dhe mban në vend talentin inovativ”, ka thënë ambasadori Hovenier.
Rruga Press