KryesoreLajme

Hoti kërkon nga Kaja Kallas, të merren hapa vendimtarë për çështjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i është drejtuar me një letër përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, duke kërkuar nga ajo që të marrë hapa urgjent për çështjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Hoti ka thënë se pavarësisht se u miratua Deklarata për Personat e Zhdukur më 2 maj të vitit 2023, Serbia vazhdon t’i bllokojë përmbushjet e detyrimeve të saja dhe po i shkel obligimet që i ka sipas të drejtës ndërkombëtare. Hoti në letër ka shkruar se Bashkimi Evropian ka rol kyç për të siguruar që përpjekjet të mos dështojnë. Ndërsa i ka bërë thirrje Kallasit që të marrë hapa vendimtarë lidhur me këtë çështje.

Lexo më shumë  BE i vendos sanksione të reja Rusisë, Kallas: Kremlini nuk do ta thyejë vendosmërinë tonë

Hoti ka kërkuar që të hapen menjëherë dhe pa kushte arkivat ushtarake, policore dhe të inteligjencës së Serbisë, përfshirë dosjet e klasifikuara që lidhen me krimet e luftës dhe zhdukjet me dhunë. Ka kërkuar bashkëpunim të plotë nga autoritetet serbe, duke përfshirë lehtësimin e hetimeve mbi përfshirjen e grupeve paramilitare dhe bashkëpunëtorëve lokalë serbë në këto zhdukje me forcë.

Dhe po ashtu masa konkrete për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse për refuzimin e saj të vazhdueshëm për të ofruar informacion mbi vendndodhjen e personave të zhdukur dhe lokacionet e varrezave masive të pazbuluara.

“Familjet e të zhdukurve kanë pritur për një kohë tepër të gjatë për të vërtetën dhe drejtësinë që e meritojnë. Besoj se nën udhëheqjen tuaj, mund të sigurojmë që zëri i tyre të dëgjohet dhe që Serbia të detyrohet t’i përmbushë detyrimet e saja morale dhe ligjore”, ka shkruar Hoti.

Rruga Press

YouTube player