KryesoreLajme

Hoti: Ekspozita në Prishtinë shtrembëron të vërtetën për krimet e luftës, të veprojë Prokuroria

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar ndaj ekspozimit të materialeve në sheshin e Prishtinës, duke e cilësuar të papranueshme paraqitjen e pasaktë të krimeve të luftës në Kosovë.

Sipas tij, në kuadër të ekspozitës për luftën 1998/99 janë evidentuar raste ku faktet janë shtrembëruar, duke rrezikuar të relativizojnë krimet dhe të përforcojnë narrativa të rreme.

Hoti ka përmendur veçanërisht Masakrën e Krushës së Madhe, ku sipas tij është paraqitur gabimisht se gratë dhe fëmijët janë lejuar të largohen, ndërkohë që në këtë masakër janë vrarë edhe gra, përfshirë shtatzëna.

“Në rastin e masakrës në Krushë të Madhe, përveç pasaktësive në numrin e viktimave, prezantohet edhe një e pavërtetë narrative sikur gratë dhe fëmijët janë “lejuar” të largohen, e burrat janë vrarë.Kjo nuk qëndron. Në Krushë të Madhe janë vrarë pa përjashtim, edhe gra shtatzëna, e nuk janë lejuar, por urdhëruar e deportuar drejt Shqipërisë, çka e rrëzon çdo përpjekje për ta paraqitur këtë krim si një veprim “selektiv””.

Lexo më shumë  Haxhiu për çështjen e presidentit: Çka thuhet në takime të mbyllura të jetë qëndrim real dhe jo vetëm diskutim sa për të thënë

Organizatori i ekspozitës për masakrat në Kosovë reagon ndaj raportimeve për të dhëna të pasakta

Po ashtu, ai theksoi pasaktësi edhe në paraqitjen e Masakra e Burgut të Dubravës, duke kundërshtuar si të pavërtetë pretendimin se disa nga viktimat kanë qenë të armatosur, pasi sipas tij të burgosurit shqiptarë kanë qenë civilë dhe të pambrojtur.

“Këto nuk janë gabime të thjeshta teknike, por shtrembërime që rrezikojnë të relativizojnë krimet dhe të përforcojnë narrativa të rreme”, ka shkruar Hoti.

Lexo më shumë  Kryetarja Haxhiu priti në takim të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e ShBA-së, Anu Prattipati

Ministri ka bërë thirrje për tërheqjen e menjëhershme të materialeve me pasaktësi dhe për verifikim institucional të plotë të përmbajtjes së ekspozitave.

Njëkohësisht, ai ka ftuar Prokuroria e Shtetit dhe mekanizmat për hetimin e krimeve të luftës që të shqyrtojnë këtë çështje.

“E vërteta për krimet e kryera në Kosovë nuk mund dhe nuk duhet të shtrembërohet.Ajo është themel i drejtësisë dhe detyrim ndaj viktimave, familjeve të tyre dhe historisë sonë”, ka shkruar tutje Hoti.

YouTube player