“Hoteli luksoz i dhëndrit të Trumpit në Beograd”, The New York Times: Idenë e propozoi Grenelli kur ishte i dërguar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë
Qeveria serbe ka miratuar një kontratë me Jared Kushnerin mbi planet për të ndërtuar një hotel luksoz aty ku përpara bombardimeve të NATO-s ka qenë objekti i ish ministrisë së mbrojtjes në Beograd. Kjo po ndodh në kohën kur vjehrri i Kushnerit, Donald Trump, po përpiqet të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Kushneri kërkon ta zbatojë projektin e hotelit prej 500 milionë dollarësh në partneritet me Richard Grenellin. Sipas The New York Times , Grenelli është ai që e ka bërë propozimin për këtë investim në kohën kur ishte ende diplomat, si i dërguar i posaçëm në Ballkan, kur mori rol kyç në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Marrëveshja e investimit është bërë me një degë të Affinity Partners të Kushnerit, fond tre-vjeçar i investimeve prej 3 miliardë dollarësh i mbështetur nga fondi sovran i pasurisë së Arabisë Saudite.
“Kompleksi u bombardua në vitin 1999 nga forcat e NATO-s me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara gjatë luftës që Serbia po zhvillonte atëherë me Kosovën. Tani konsiderohet si një vend kryesor i pazhvilluar i pasurive të paluajtshme në mes të një qyteti shumë të ndryshuar, dhe vetë Trumpi kishte menduar të ndërtonte një hotel në të njëjtin vend në vitin 2013”, shkruan prestigjozja amerikane.
Plani i miratuar për hotelin në Beograd ka edhe karakter të qëndrimit politik, sepse përfshin propozimin për të ndërtuar një muze dhe kompleks përkujtimor për të plagosurit ose të vrarët gjatë bombardimeve të NATO-s, që janë ushtarë dhe personel të regjimit të Millosheviqit të vrarë brenda një lufte ku Serbia kreu masakra dhe gjenocid në Kosovë. Memoriali do të zotërohet dhe menaxhohet nga qeveria serbe dhe do të projektohet “në bashkëpunim me arkitektët serbë”, tha kompania e Kushnerit në një deklaratë.
Dhëndri i Trumpit, Jared Kushner po planifikon gjithashtu dy projekte hotelesh luksoze në Shqipëri.
Rruga Press