Holanda e kompanive offshore kryeson edhe këtë vit investimet e huaja në Shqipëri
Holanda dominoi investimet e huaja direkte edhe në tremujorin e dytë të vitit.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, investimet nga kompani me aksionerë të regjistruar në Hollandë arritën vlerën e 64 milionë eurove, në rritje me 56% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për të gjithë 6-mujorin e parë të vitit, investimet holandeze kishin vlerën e 104 milionë euro, 23% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithëse kanë pësuar rënie krahasuar me vitin 2020, investimet holandeze përbëjnë më shumë se 22% të investimeve të huaja direkte për këtë vit.
Arsyeja kryesore e kryesimit të Hollandës në renditjen e investitorëve të huaj gjatë viteve të fundit është fakti se Holanda është një nga juridiksionet europiane ku regjistrohen më shumë kompani offshore. Në Hollandë janë të regjistruara kompanitë që zotërojnë Devoll Hydropower, Vodafone Albania, Spitalin Amerikan, etj. Por, në vitet e fundit, në Holandë janë regjistruar edhe kompani që kanë përfituar kontrata të rëndësishme të PPP-ve në Shqipëri dhe qëllimi duket të jetë kryesisht fshehja e përfituesve të këtyre kontratave.
Investitori i dytë më i madh për tremujorin e dytë të këtij viti ishte Italia, me 33 milionë euro, 22% më shumë krahasuar me një vit më parë. Edhe për të gjithë 6-mujorin, Italia u rendit e dyta në listën e investitorëve të huaj, me një fluks prej 61 milionë eurosh, në rritje vjetore me 11%.
Italia ngelet një investitor i rëndësishëm në Shqipëri, por prania e saj në sektorët strategjikë ka qenë relativisht e ulët. Kompanitë italiane janë të përqendruara kryesisht në degët e shërbimeve. Në mesin e këtij viti, Banka e Shqipërisë e vlerësonte stokun e investimeve italiane në 932 milionë euro.
Investitori i tretë më i madh këtë vit është Turqia, me 48 milionë euro gjithsej, të shpërndara pothuajse në mënyrë uniforme gjatë dy tremujorëve të parë. Megjithatë, investimet turke kanë pësuar rënie me 19% krahasuar me një vit më parë. Sipërmarrja turke në Shqipëri është sidomos e përqendruar në kompani të mëdha të sektorëve strategjikë, si Banka Kombëtare Tregtare, Albtelecom, Kurum, Limak apo Ayen AS Energji. Stoku total i investimeve turke aktualisht vlerësohet nga Banka e Shqipërisë në 662 milionë euro.
Në rritje edhe për këtë vit po rezultojnë investimet e kompanive franceze, që në gjashtë muaj arritën vlerën e 47 milionë eurove, rreth tre herë e gjysmë më shumë krahasuar me një vit më parë. Në Shqipëri veprojnë disa kompani të rëndësishme me kapital francez, si ALEAT, Selenice Bitumi, por edhe disa sipërmarrje të investimit në energjinë e rinovueshme. Në total, stoku i investimeve franceze në mesin e vitit arriti në 346 milionë euro.
Në rritje për këtë vit janë investimet austriake, që kanë arritur në 27 milionë euro, 29% më shumë krahasuar me një vit më parë dhe ato gjermane që arritën në 21 milionë euro, nga vetëm 1 milionë euro që kishin qenë vitin e kaluar.
Në rënie edhe për këtë vit janë investimet zvicerane, që zbritën në 28 milionë euro, 76% më pak krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2020. Investimet zvicerane në vitet e fundit kanë qenë të lidhura kryesisht me gazsjellësin TAP dhe përfundimi i punimeve ka sjellë rënie graduale të tyre. Sidoqoftë, për nga vlera totale e investimeve të matura si stok në fund të periudhës, në mesin e vitit 2021 Zvicra vazhdon të kryesojë, me rreth 1.7 miliardë euro, e ndjekur nga Holanda me 1.42 miliardë euro dhe Kanadaja, me 1.14 miliardë euro./E.Shehu/MONITOR