KryesoreOpinion/Aktualitet

Hitchcock dhe 60 vjeçari i vrarë me inicialet e emrit T.V, shqiptar

Shkruan Krenar Zejno

Sot qenka ditëlindja e televizionit shqiptar, e meqë asgjë s’ka ndryshuar nga një jubilar në tjetrin, po e kremtoj me shkrimin e ca viteve më parë:

Hitchcock dhe 60 vjeçari i vrarë me inicialet e emrit T.V, shqiptar

Gjendet i therur në vaskën e halesë së motelit të tij, 60 vjeçari me inicialet TV, shqiptar. Ujërat e kazanit ku plluskon i ziu, siç shihen edhe në këto pamje eskluzive të kronikës sonë, janë kthyer në ngjyrë krejt të kuqe. Moteli është rrethuar me shirit të kuq dhe sakaq kanë nisur hetimet mbi pistat e gjakmarrjes ose atë të motiveve të dobëta.

Ndërkohë jashtë në pazar, për shkaqe epidemike nuk do mbahen festimet e përvjetorit jubilar të ditëlindjes së televizionit publik shqiptar. Gjithsesi një aheng epidermik mornicash hareje ka zaptuar televizorët e nënshtetasve, bashkështetas me shtetësinë e televizionit. Publikut tejendanë, ngujuar këto ditë në hapësirat e tyre private ballë ekranit të televizionit të tyre publik. As taksa që paguhet çdo muaj për të mbajtur më këmbë këtë fantomë nga më ogurzezat në historinë e një entiteti publik, sot fshehur pas monopolit të ndeshjeve sportive, nuk se shtyn gjer te haraçi i propagandës, ngrehur mbi mortjen sistemike prej atij sistemi terrori dhe shëndetit publik të së sotmes neurozë e skozofreni. Ende mijëra të punësuar që, si dikur, ashtu dashjepadashje, japin një dorë në këtë harbim spektakolar injorance fyese dhe propagande. Dhe asnjë falje publike për të shkuarën horror, ndaj artit dhe jetëve private, djegur me lehtësinë e një celuloidi.

Dhe ja, më tej, almanaku i ditës së sotme vijon me komentin ’40 vite pa Hitchcock’ ku bën me dije që, si sot, katër dekada me parë është ndarë nga jeta i ashtuquajturi ‘maestro i rënqethjes’.

I pari film i tij, pa zë, titullohej “Shqiponjat e maleve”, e me rradhë “Klani i 39-ës”, ”Vrasje”, pastaj dokumentari mbi Holokaustin, “Memory of the camps” (nuk iu lejua distribucioni pasi horrori në të, do frenonte seriozisht iniciativat postbelike të pajtimit të gjaqeve) e mandej “Njeriu që dinte shumë”, “Frikë në skenë”, “Komplot në familje”, “Psyko”, e gjer te “Ishulli i mëkatit”. Alfredi regjisor nuk e fitoi kurrë një Oskar. Asnjë çmim e vlerësim veç titullit “baron i vockël” akorduar nga mbretëresha e rohitjes ishullore tradicionale, kur i rikthyer në vendlindje po xhironte metrat e fundit në këtë jetë. Ironi e fatit dhe rastit. Si vetë fjalëkyçet e artit të tij. Porse mbetet hiç më pak se një Hitchcock. Ama, për fat pati kolegë të së njëjtës lartësi që do t’ia jepnin hakun në të gjallë.

Një regjisor si Truffaut konsumoi 500 orë kuvendim me të, dhe 5 vite jetë prej artit të vet, të gatiste e radhiste e montonte kilometrat xhirim për ta nxjerrë përfundimisht në pah artin e tjetrit. Aty ia rrëfen mikut Truffaut edhe atë episodin jetësor kur i ati, për një prapësi miturie të rradhës, e shpie dhe e mbyll si për riedukim veçse disa orë në një komisariat. Ngjarje që do shenjonte vizionin e tij mbi botën e prej këtej vetë artin e kinemasë. Imagjino pastaj e prej kësaj lebetinë në burgje dekadash e çmendine dhe ç’mendimi komunizmi endemik.

Lexo më shumë  Gjermania vendos në funksion mburojën kundër raketave balistike

Sakaq, zonja e ekranit rikthehet të komentojë ditëlindjen e televizionit, nën premtimin se programi i posaçëm parasheh transmetim festiv maratonë, që do ta tundi përgjatë gjithë javës, si të qe as më shumë e as më pak se një dasmë tribale fisi të madh katundi.

Jashtë festës, zonja me një ish-pafajësi ëngjëllore, e cila mban emër metalik të çmuar dhe mbiemër ungjillor, është moderatore e një si punë emisioni letrar, ku më së shumti ftohen dhe ofrohen me shumicë shkërrimtarë të ish- socrealizmit si dhe ca shkrimtaraqë të realizmit kapitalist. Dhe ose ajo ose shkrimtari vetë ngjyen gishtin e shfleton me zhurrmë fletët e njërit nga librat e vet – mu si ajo rrapëllimë krahësh lemerie te filmi “Zogjtë” – dhe zë e këndon ndonjë pasazh ose vjershë. Në sfond tok me leximin nis një violinë e butë si violoncel… suspense… horror i vërtetë! Pastaj, i gjori shpjegon horrorin e tij, por, përveç disa rasteve të caktuara, mbase në pafajësi e padijeni të plotë për këtë cilësi dhe faktit sesi po i rri pas koke kosa që do ta presë dhe errësira e përplotë që e pret në pritë. Ta përpijë e ta tresë. Dhe kjo e shton suspansën, tamam si nën principin ala Hitchkock ku: teksa shohim një sëpatë qasur shpinës së një të pafajshmi, ne dimë diç që vetë ai nuk e di, e kështu tok me sëpatën ngrehet edhe suspansa. Dhe njëherit, çmerritja e tmerri. Përfytyrojmë ato gërshërë të stërmëdha, në imazh 3D, që i aviten nga pëlhura e ekranit syve të publikut spektator. Apo mos ndoshta kjo ngjet në kinema e jo në jetë. Mirëpo, i zoti i punës, ndaj e tha, si gjithmonë e si nën qesëndi, se arti është vetë jeta, kur i ke hequr me kujdes ato copërat e qeta. Një fjalë goje kjo. Vërtet motivi i ngulitur në filmat e tij mbetet ai i arrestimit të pafaj dhe burgosjes padrejtësisht. Një ngulitje përsëritëse e kopjuar nga filmi në film e për të cilën ironizoi se plagjiatura ndaj vetvetes është shenja e mbarë e një stili. Vërtet i gjendur në kushte krejt të tjera për të shpallur devizën e tij: ‘Arti për mua rri më përpara se sa democracia’. Porse kondicioni human mbetet po ai: Ndeshja e të mirës me të ligën; vështirësia për të shquar të vërtetën dhe dallimin nga çka është false.

Lexo më shumë  VV ankohet në Supreme rreth vendimit të PZAP-it për qendrat alternative të votimit në diasporë

Edhe stilema Hitchcock po ajo: e ashtuquajtuara ‘understatement’, mënyra e përshfaqjes së ndodhive tepër dramatike përmjet një toni të lehtë. Dakord që humorizmi englez dhe batuta ingleze, shtuar këtu natyralizimin amerikan të tij, nuk janë të bashkëmatshme me tmerre të këtushme. Ashtu si dhe vetë kjo paralele mes ditëvdekjes së kineastit me ditëlindjen e televizionit, apo dhe maraze të tjera, por ja që qe rasti, rastësia almanak i të sotmes. Hichkock e njihte aq mirë e për vite të tëra pune edhe televizionin, sa të shprehej se “televizioni ka bërë shumë për psiqiatrinë, si me anë të shpërndarjes së informacionit mbi të ashtu dhe me përmbushjen e nevojave që kjo e fundit ka”

Ja, një minutë, prit pak, se sapo u njoftua që fill pas reklamave do të dali vetë Drejtori i përgithshëm të përshëndesë 60 vjeçarin televizion që drejton… qëndroni me ne!

Pa problem, aq më tepër tani që e kemi me nge. Në një nga seancat e programit të tij televiziv “Alfred Hitchcock prezanton” ky dha përcaktimin se televisioni është si shpikja e pajisjeve hidrosanitare, nuk se ka këmbyer zakonet e njerëzve, thjesht i mundëson të mos dalin më jashtë shtëpisë.

Dhe jashtë, si për dreq, prapë rastësia… Kujtohem për një episod vital nga realiteti në TVSh! Sa më ka pas pëlqyer kur e dëgjova në kohë reale! Jashtë mase.

Në një mbledhje të bordit të televizionit që atëkohë mbushi 50 vjet, drejtori i atëhershëm i cili vinte nga skena e humorit dhe estradës, po shpallte detajet e festimeve të rradhës. Mirëpo, e bezdiste prania e një antari bordi, spiun dhe militant i prapë që, mesaduket, ia kish bërë peshqesh pushteti satrap. Në një pikë kthese të mbledhjes, drejtori libretist humori ndjen nevojën ta nxjerrë jashtë dhe e pyet: ore, nuk të ka pyetur, në ç’vit të studimeve je sivjet? Në muajin e tretë, përgjigjet tjetri që ndiqte Akademinë e Plepave për jurist. Urime, i drejtohet drejtori, por tani mundësisht dil pak jashtë se kemi një barrë hallesh për të zgjidhur, probleme që duan njohuri për ata që janë në muajin e katërt!

E kam parasysh dhe faktin se televizioni mes të tjerash ka bërë, me hir a pahir, edhe ndonjë gjë të hajrit. Ja po themi, edhe të mirë. E siç rasti shfaqet mizor te kinemaja e Alfredit, e dimë poashtu se rasti është pikërisht edhe rastësor. Jo pak të talentuar kanë punuar aq shumë, dhe janë shpërdoruar asokohe dhe ndoshta ende tani. Keqardhje e madhe për ta. Por tanimë e me këtë dhimbje koke e psiken copë, edhe unë i përkas atij publiku Hitchocku “që dhe Hirushen sikur të na shtrinte ky në karrocë, publiku do kërkonte dhe priste për ndonjë kadavër”.

YouTube player