Historia frymëzuese e rilindjes së një familje – Nisin shkollën fëmijët e Isak Asllanit, veteranit që serbët ia vranë 7 fëmijët, gruan, nënën, kunatën e mbesën
Një histori sa frymëzuese aq edhe rrëqethëse e Kosovës, sot nisi epokën e re.
Isak Asllani, veteran i luftës së Kosovës humbi gjithë familjen e tij këtu e 26 vite më parë, e që atëherë dhimbja e tij ka qenë e pashërueshme.
Por kur kanë kaluar mbi dy dekada nga tragjedia ku ushtarët serbë i vranë 7 fëmijë, nënën dhe mbesën, për Isakun gjashtë vite me parë në vitin 2017 dielli ka filluar ta ngrohë përsëri.
Mrekullia ndodh pas 20 vitesh nga lufta dhe pas martesës Isaku bëhet përsëri baba në moshën 60-vjeçare. Tashmë fëmijët binjak të tij, djali Ejupi dhe vajza Lumnija, kani nisur rrugën e tyre të dijes.
Këtë e ka ndarë me publikun vetë kryetari i Komunës së Shtimës, Qemajl Aliu, i cili u ka uruar gjithë të mira fëmijëve dhe familjes së Isakut që përjetoi ngjarje rrënqethëse, por që mandej është bërë frymëzim për gjithsecilin.
“Me kënaqësi të veçantë e me nder të madh sot mirëprita bacën Isak Asllani me zonjën e tij, Mevlide Asllani si dhe dy vogëlushët e tyre, Ejupin dhe Lumnijen, të cilët që nga sot e fillojnë rrugën e gjatë e të vlefshme të dijes. Bashkë me ta ishte edhe mësuesja që do t’ua hapë horizontin e fushës së pasosur të dijes, znj. Kosovare Bytyçi.
Është frymëzuese historia e bacës Isak, që gjatë luftës duke qenë vetë pjesë e UÇK-së, i humbi 11 anëtarë (7 fëmijët, më e vogla 1 vjet që me krenari ia mban emrin sot çerdhja Albiona Asllani, gruan, nënën dhe kunatën me mbesën) të familjes dhe përsëri gjeti kurajon dhe motivin e lartë, duke i sjellë në jetë Ejupin dhe Lumnijen që do të jenë pjesë të shkollës “Emin Duraku” dhe të cilëve me kënaqësi të madhe u dhurova nga një çantë me materiale shkollore”, ka shkruar kryetari Aliu.
Kryetari ka uruar që viti i ri shkollor të jetë i mbarë dhe mos iu ndalshin asnjëherë sukseset fëmijëve të bacës Isak dhe gjithë fëmijëve të Komunës, shtetit e kombit tonë, “për të ardhmen e të cilëve nuk ndalemi së punuari asnjëherë”. /kosovanews/
Rruga Press