Historia e xhaxhait të Vjosa Osmanit, presidentes në detyrë të Kosovës, që u varros i gjallë nga regjimi i diktatorit Enver Hoxha
Nga Sebastian Zonja
Pasi la Kosovën, Sulejmani erdhi e u vendos në Tiranë pranë familjes së tij, në shtëpinë që e kishte ndërtuar vetë, aty ku sot është ambasada greke, që nga fillimi i viteve ‘30-të. Ai as që e kishte menduar kurrë atë çka do i ndodhte më vonë pas ardhjes në shtëpinë e tij, arrestimin, sepse gjatë gjithë karrierës së tij ushtarake, kishte punuar dhe luftuar vetëm për Shqipërinë dhe për atë gjë ishte dënuar me vdekje nga forcat çetnike – komuniste (serbo- malazeze), gjatë kohës që kishte luftuar kundër Drazha Mihajlloviçit në Kosovë.
Kështu, duke e ndjerë vetën krejt të pastër për atë që kishte bërë gjatë gjithë jetës tij, u kthye në shtëpinë e tij në Tiranë tepër i vetëdijshëm. Por llogaritë e kolonel Vuçiternës duket se nuk “kuadronin” aspak me ato të komunistëve që kishin ardhur në pushtet dhe mezi prisnin për të larë hesapet me ata që i konsideronin si “kundërshtarë politik apo armiq të popullit”.
Pak ditë pas ardhjes tij në Tiranë, akoma pa u çmallur mirë me familjen, aty nga mesnata e 14 nëntorit të 1944-ës, kur gjermanët ende nuk ishin larguar nga kryeqyteti, në shtëpinë e tij u paraqit një skuadër speciale partizanësh e cila e arrestoi duke i thënë familjes: “Sa për një sqarim në komandë!” Pas kësaj, skuadra speciale e partizanëve e bashkoi me disa “kolegë” të tjerë, dhe ashtu të lidhur me zinxhirë tre nga tre, në këmbë i nisi për në Shupal, rrëzë malit të Dajtit, ku disa baraka të vjetra tip kazeramsh ushtrie që ruheshin nga partizanë të armatosur, shërbenin si burg. Në ato kazerma, ku mbaheshin të arrestuar edhe dhjetra persona të tjerë, shumica ish- funksionarë të lartë të qeverive shqiptare që nga koha e Ismail Qemalit, si ministra, deputetë, prefektë, ushtarakë madhorë etj, Sulejmani qëndroi deri në datën 21 nëntor, kur po ashtu të lidhur tre nga tre i nisën përsëri në këmbë për në Tiranë, duke i “sistemuar” tek Burgu i Vjetër, sot “Mine Peza”.
Në gjyqin Special, 30 vjet burg
Në Burgun e Vjetër të Tiranës, për katër muaj, kolonel Sulejman Vuçiterna iu nënshtrua torturave ç’njerzore deri sa doli në Gjyqin Special, i cili u hap në fillimin e muajit mars 1945. Senaca gjyqsore për Sulejmanin u zhvillua në datën 29 mars, ku pati disa replika të ndërsjellta në mes tij dhe Prokurorit Bedri Spahiu. Në atë proces gjyqsor avokat i Sulejmanit u caktua Spiro Stringa, i cili me profesionalizëm të lartë bëri të pamundurën për ta lehtësuar klientin e tij, duke gjetur si dëshmitarë për ta mbrojtur disa persona, si: Hajri Jegenin, Gjon Llambushin e Fehmi Poshin. Po kështu një mbrojtje të madhe i bëri Sulejmanit, Habibe Delli, nëna e Xhezmi Dellit, komunist “Hero i Popullit”, e cila ishte fqinje me familjen Vuçiterna. Ajo shkoi vetë dhe deklaroi në sallën e gjygjit pa e thërritur njeri, duke u shprehur: “Sulejmanin e njoh si njeri të ndershëm dhe shumë korrekt, pasi e kam komshi. Duke qenë oficer i lartë, në një rast e di që ai i ka shërbyer Lëvizjes. Kur Xhezmiut i ishte përgatitur pusia, ai i shpëtoi rrethimit, fal informacionit të zotit Sulejman, si dhe dërgimit të atij municioni qoftë dhe të vogël që ai kishte me vete. Ai ishte simpatizant i Lëvizjes Nacionalçlirimtare, por vetë nuk doli në mal të luftonte, se ishte me një veshkë. Përse ky njeri duhet të jetë në bankën e të akuzuarëve si kriminel?”
Pas kësaj, Gjyqi Special e dënoi Sulejmanin me 30 vjet burg e punë të detyruar së bashku me Sokrat Dodbibën, Et`hem Carën, Anton Kozmaçin, Sami Kokën, Mihal Zallarin, Ndoc Naraçin e Lazër Radin. Sulejmani nuk “pati fatin” ta plotësonte dot dënimin e dhënë, sepse vdiq më 15 tetor të vitit 1945 në kampin e Vloçishtit, në kënetën e Maliqit ku vuante dënimin, duke prerë vetë gishtat e këmbës me bel. Sipas disa dëshmive nga bashkëvuajtës të tij në atë kamp-burg, Komandanti i Kampit, Tasi Marko, nuk pranoi kërkesën e mjekut Hysenbegasi, për ta dërguar Sulejmanin në spitalin e Korçës, por e varrosën ashtu gjysëm të gjallë, pa i dalë akoma shpirti, në një gropë buzë kallamishteve të kënetës së Maliqit, për të mos u gjetur kurrë eshtrat e tij.
Rruga Press
Lexo më tej: