Hezbollahu merr përgjegjësinë për sulmin në Izrael, por kërcënohen nga SHBA-ja
Lëvizja libaneze Hezbollah mori përgjegjësinë për sulmin me raketa në territorin e Izraelit që nisi nga Libani në orët e para të mëngjesit të sotëm. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lëshuar një paralajmërim për këtë lëvizje.
Hezbollahu njoftoi se ky sulm me raketa ishte përgjigje ndaj sulmeve izraelite, ku humbën jetën tre luftëtarë të tyre.
Abdallah Bou Habib, ministri i Jashtëm i Libanit, konfirmoi të hënën se kishte marrë garanci nga udhëheqësit e Hezbollahut se grupi nuk do të ndërhynte në konfliktin në Izrael.
SHBA dhe aleatët e saj kanë paralajmëruar Hezbollahun që të përmbahet nga përshkallëzimi i tensioneve në Izrael.
Pavarësisht disa tensioneve në kufi, zyrtarë të lartë të administratës amerikane nuk besojnë se Hezbollahu do të marrë pjesë në një konflikt midis Hamasit dhe Izraelit. Paralajmërimet besohet se kanë pasur ndikim.
SHBA komunikoi me Hezbollahun përmes kanaleve të ndryshme, duke përfshirë qeverinë libaneze dhe Nabih Berri, kryetarin e parlamentit libanez, i cili është aleat i Hezbollahut.
Në një konferencë të Kongresit të dielën, zyrtarët e administratës iu referuan Berrit si ndërmjetës. SHBA-ja nuk do të komunikojë zyrtarisht me Hezbollahun, të cilin e konsideron grup terrorist.
Franca gjithashtu i tha Hezbollahut, me kërkesë të Izraelit, që të shmangë përshkallëzimin dhe të ruajë paqen, dhe se Izraeli do të përgjigjet ndjeshëm nëse do të kishte përshkallëzim të mëtejshëm, sipas një burimi të informuar për bisedimet. Këto bisedime u koordinuan me SHBA-në, shkruan Reuters.
“Aleatët perëndimorë me kontakte jozyrtare me Hezbollahun kanë përcjellë mesazhe të caktuara”, konfirmoi një diplomat perëndimor, duke vënë në dukje se përgjigja e Hezbollahut tregon “gatishmërinë aktuale për t’u përmbajtur nga përshkallëzimi i mëtejshëm”.
Rruga Press