Hetimi “Veliaj”/ Fatorinoja që u bë bos autobusësh, çfarë fshihet pas emrit të Sokol Kryeziut
Nga Boldnews.al
Dosja hetimore për kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, hedh dritë mbi një skemë të dyshuar pastrimi parash nëpërmjet transferimit të licensës së transportit publik të autobusëve që operojnë aktualisht në disa linja të kryeqytetit.
Në qendër të këtyre manovrave qëndron Sokol Kryeziu. Në vitin 2015, ai ishte fatorino në shoqërinë “Gerard-A” dhe më pas kontrollor në shoqërinë që në atë kohë zotërohej nga Altin Kumara.

Më vonë, Sokol Kryeziu rritet në gradën e kontrollit të shoqërisë së autobusëve, ndërkohë që rezultonte edhe fshesar në drejtoritë në varësi të Bashkisë së Tiranës.
Në vitin 2021, Kryeziu blen kompaninë ku punonte për 33.4 milionë lekë. Vetëm pas një muaji, nëpërmjet disa transaksioneve, Kryeziu e shet licensën e autobusëve tek “CFO Pharma” e Nadir Çaushollit.
Sipas kontratës, Çausholli e bleu licencës për 100 mijë euro, por ndërkohë merrte përsipër edhe shlyerjen e borxheve që kishte shoqëria “Gerard-A” e Kryeziut për një vlerë prej rreth 1.9 milionë euro. Ndërkohë, kompania “Gerard-A” mbeti në pronësi të Kryeziut
Në një përmbledhje shumë të shkurtër, Sokol Kryeziu ishte fshesari që u bë fatorino, fatorino që u bë pronar autobusësh brenda 5 vitesh dhe, më pas, e shiti licencën tek Çuasholli.
Kompania “Gerard-A”, aktualisht në pronësi të Sokol Kryeziut, ka fituar rregullisht tendera në Bashkinë e Tiranës dhe institucionet në varësi të saj. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, vlera e këtyre tenderave përllogaritet në rreth 6 milionë euro (mbi 600 milionë lekë të reja).
Fshesari dhe fatorinoja Sokol Kryeziu, pasi u bë pronar i madh nga hiçi, zbuloi se kishte edhe shije të holla artistike. Sipas SPAK-u, Kryeziu rezulton se ka blerë vetëm dy piktura, me një vlerë totale prej 50 mijë eurosh, në galerinë “Nan”, e kontrolluar nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e Erion Veliajt.

Për këto “blerje”, Sokol Kryeziu u vendos nën masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”, i dyshuar për “Korrupsion aktiv të të zgjedhurve vendorë”, në dosjen e arrestimit të Veliajt, ndërkohë që hetimi po vijon ende.
Historia e habitshme, nga fshesar, në pronar
Sokol Kryeziu është një ndër pesë biznesmenët, të cilët janë vënë nën hetim së bashku me Erion Veliajn dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.
Sipas të dhënave të mbledhura nga Prokuroria e Posaçme, rezulton se Kryeziu, nga viti 2014 deri në vitin 2021, ai ka qenë i punësuar si fshesar në Drejtorinë e Pastrimit të qytetit Tiranë, si edhe fatorino, kontrollor autobusësh dhe drejtor në kompaninë “Gerard –A”, e cila në atë kohë zotërohej nga Sokol Kryeziu.
“Boldnews.al” ka verifikuar të dhënat e ecurisë së biznesit të Sokol Kryeziut në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
ShoqëriA “Gerard-A” është regjistruar në vitin 2011 me pronar Altin Kumarakun. Prej disa vitesh, ajo zotëroi licencës e transportit publik për linjën urbane të Yzberishtit dhe Kasharit.
Në vitin 2019, Kumaraku transferoi të drejtat e licensës nga “Gerard-A” tek kompania bijë e saj, “City Trans”.
Në Prill të vitit 2021, Kumaraku ia shet kompaninë Sokol Kryeziut. Kontrata nuk është e publikuar në QKB, por Prokuroria e Posaçme ka zbuluar se ajo ka vlerën 33.4 milionë lekë të reja. Sipas kontratës, pronari i ri, Sokol Kryeziu, i cili më herët kishte qenë fatorino dhe kontrollor autobusësh në këtë kompani, do të shlyente këtë çmim brenda 6 vitesh.

Në bazë të kontratës mes palëve, e cila mori fuqi në nëntor të vitit 2021, pronari i ri, Sokol Kryeziu, fitonte të gjitha të drejtat mbi shoqërinë “Gerard-A” dhe kompaninë bijë të saj, “City Trans”, e cila zotëronte licensën e transportit urban në Tiranë.
Vetëm një muaj më pas, e konkretisht në 22 Dhjetor 2021, Sokol Kryeziu, tashmë pronar i ri, vendos të shesë të gjitha aksionet e kompanisë bijë, “City Trans” tek shoqëria “CFO Pharma” në pronësi të biznesmenit të ilaçeve, Nadir Çausholli.
Sipas kontratës së konsultuar nga “Boldnews.al”, Çausholli merr përsipër që të paguajë 100 mijë euro për aksionet e shoqërisë “City Trans”, si edhe merr përsipër shlyerjen e detyrimeve në vlerën 1.9 milionë euro që kompania kishte akumuluar ndaj Bashkisë së Tiranës.

Në vijim, kompania “City Trans” ndryshon emrin në “Green Line” dhe, që në momentin e parë, mori në zotërim transportin urban në Tiranë, në linjat e Yzberishtit dhe Kasharit.
Në një kohë të shkurtër, “Green Line” e Çaushollit mori në zotërim edhe licensën për aktivitetin e transportit urban në linjën e Unazës, nëpërmjet procedurave që nuk janë bërë publike.
Deri në Shtator 2021, linja e Unazës zotërohej nga shoqëria “Ferlut” e Ferdinand Ibrahimit. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, vendosi t’ia revokonte licensën.
Veliaj u deklarua në atë kohë shumë i pezmatuar me shërbimin e transportit urban në Unazë dhe mori vendimin për shkëputjen e raporteve financiare ndërmjet institucionit dhe sipërmarrësit Ibrahimi.
Kryebashkiaku i Tiranës u premtoi banorëve të kryeqytetit një shërbim më cilësor dhe vetëm një muaj më pas, prezantoi një flotë me autobusë hibridë, ekologjikë, të cilët, sipas Veliajt, do të mbanin një qytet më të pastër. Veliaj nuk përmendi emrin e asnjë personi dhe të asnjë kompanie që kishte marrë licensën për të operuar në Unazë.

Por, në aktivitetin e prezantimit të flotës së autobusëve hibridë, mediat fiksuan Nadir Çaushollin, i cili qëndronte disi në hije dhe në periferi të objektivëve mediatikë e propagandistikë.
Tenderat për Sokol Kryeziun
Prokuroria e Posaçme dyshon se Sokol Kryeziu është përfshirë në korrupsion aktiv, pasi kompania në pronësi të tij, “Gerard –A” ka fituar tendera në Bashkinë e Tiranës, ndërkohë që ka dorëzuar rreth 50 mijë euro në llogaritë e bizneseve të Ajola Xoxas.
Sipas dosjes gjyqësore që ka lexuar “Boldnews.al”, kompania e Sokol Kryeziut, në periudhën 2018-2023 ka fituar rreth 20 procedura tenderuese me autoritet kontraktor strukturat në varësi të Bashkisë së Tiranës, përfshirë Ujësjellës-Kanalizimet dhe Drejtorinë e Pastrimit të qytetit (në këtë të fundit, më parë rezultonte i punësuar si fshesar).
“Nga totali i deklaruar, shitjet me burim nga realizimi i kontratave publike me ente publike janë në vlerën 600.076.636 lekë (rreth 6 milionë euro, shën.red), të cilat janë si rezultat i procedurave të prokurimit që janë fituar nga shoqëria me entet në varësi të Bashkisë së Tiranës”, thuhet në vendimin e gjykatës për arrestimin e Erion Veliaj.
Më tej, në dosjen gjyqësore thuhet se “në periudhën dhjetor 2023-janar 2024, pronari dhe administratori i shoqërisë ‘Gerard-A’, Sokol Kryeziu, provohet të ketë blerë piktura pranë “Nan Gallery”, shoqëri kjo e kontrolluar faktikisht nga Ajola Xoxa dhe e zotëruar ligjërisht nga organizata jo-qeveritare “Harabel”.

Sipas faturave të administruara gjatë hetimit, rezulton se “në datë 28 dhjetor 2023 dhe 8 janar 2024, Sokol Kryeziu ka blerë dy piktura pranë ‘Nan Gallery’, me vlerat përkatëse 2.176.230 lekë dhe 2.860.834 lekë. Në të dy rastet, adresa e blerësit Sokol Kryeziu është shënuar ‘Spanjë”.
Rruga Press