Helmimi në Krujë! Mbi 600 qytetarë me simptoma, dezinfektohet depozita kryesore
KRUJË-Mbi 600 qytetarë janë helmuar nga uji në Krujë përgjatë katër ditëve. Situata sa vjen dhe rëndohet për shkak të fluksit të qytetarëve që paraqiten në spital me shenja helmimi.
Nga dita e djeshme, janë paraqitur në spital rreth 130 persona me simptoma të helmimit. Kjo ka bërë që bilanci i të prekurve nga bakteret që u gjendën në ujë të kalojë shifrën e 600 personave, në mesin e të cilëve ka dhe fëmijë.
Kjo ka sjellë shtim të rasteve të personave që kanë të vjella, diarre, dhimbje barku dhe koke.
Një pjesë e të prekurve nga helmimi pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në spital janë dërguar në shtëpi ku po ndjekin një regjim mjekësor të përcaktuar nga mjeku.
Qyteti i Krujës nuk është furnizuar ende me ujë nga Ujësjellësi i Qytetit që prej shfaqjes së këtij problemi. Një pjesë e banorëve kanë marrë ujë nga autobotet që qarkullojnë nëpër qytet, ndërsa të tjerë e kanë blerë atë. Ditën e sotme do të kryhet dezinfektimi i depozitës kryesore e cila furnizonte qytetin me ujë.
ISHP ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar për përgjigjen e analizave, e cila u bë publike në media ditën e djeshme.
U raportua se uji në qytetin e Krujës ka pasur ngarkesë bakteriale të Escherichia Coli dhe Streptokokut Fekal. Këto baktere janë shkaku kryesor i diarresë të përgjakshme. Escherichia koli shkakton dhimbje të rënda dhe diarre. Streptokoku është një infeksion bakterial që shkakton inflamacion dhe dhimbje në fyt.
Rruga Press