Helmimi masiv në Krujë! Mbi 370 pacientë në spital, mes tyre dhe fëmijë. Nis hetimi
KRUJË– 370 qytetarë, mes tyre edhe fëmijë, kanë shkuar për mjekim në spitalin e Krujës që nga mëngjesi i së dielës deri më sot. Të shtruar në spital, me diarre, të vjella dhe simptoma të tjera helmimi janë 30 pacientë por sipas drejtoreshës së spitalit të Krujës, Yllka Sheta, situata është nën krontroll.
Në spital sot ka shkuar edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila është shprehur se hetimet nga Inspektorati Shtetëror i Shëndetit kanë nisur dhe brenda 24-72 orëve do të dalë raporti i plotë. E pyetur nga mediat lidhur me ujësjellësin që përuroi për fushatë vetë kryeministri Edi Rama, Manastirliu bëri ç’mos për të evituar pyetjet.
Ndërsa shtoi se nuk përjashtohet mundësia e helmimit nga ushqimi. Por cili mund të jetë ai ushqim që është konsumuar nga 370 qytetarë në të njëjtën kohë? Ndërkohë që në zonë është ndërprerë furnizimi me ujë, prefekti i Durrësit, Roland Nasto shtoi se do të shpërndahej ujë falas për të gjithë banorët e zonës. Ndërsa Sheta tha se spitali kishte ujë të pastër që ruhej në kazanë.
Ndërkohë që brenda spitalit pacientët ankohen për simptomat e tyre, duke pohuar se të njëjtën situatë kanë përjetuar edhe 3 muaj më parë, me po të njëjtat simptoma helmimi. Nga ana tjetër përveç ISHSH-së, inspektorët e të cilës i kanë kërkuar llogari ujësjellësit të Krujës se përse nuk kanë njoftuar që të dielën, kanë nisur hetimet edhe nga Prokuroria.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar përmes një statusi në rrjete sociale Presidenti Ilir Meta duke kërkuar zbardhjes së plotë të ngjarjes, ndërsa kryeministri Edi Rama hesht. Edhe pse ishte vetë ai që pak muaj më parë bëri një superspektakël mediatik në përurimin e ujësjellësit të zonës.
Zhvillimet orë pas ore në Krujë:
Rruga Press

