Haxhiu: Vetëm një kandidat për president, duhen dy për të ftuar seancën
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se deri në këto momente është propozuar vetëm një kandidat për president, ai është Glauk Konjufca. Ajo ka thënë se Konjufca është propozuar me nënshkrimet e 30 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të grupit multietknik.
Haxhiu u ka bërë thirrje deputetëve të japin nënshkrimet e të propozohet edhe një kandidat tjetër për t’u plotësuar kushti që të thirret seanca për zgjedhje të presidentit.
Ajo ka thënë se afati i fundit për t’u thirrur seanca është 5 marsi.
“Mund të ketë kërkesa për seancë të jashtëzakonshme, por seancë për zgjedhje të presidentit s’mund të ketë pa i pasur së paku dy kandidatë. Zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Afati kushtetues është 5 marsi i vitit 2026, pra kemi më pak se 30 ditë deri në përfundim të këtij afati që e bën situatën më urgjente. Ftojë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që deri tash nuk kanë dhënë nënshkrimet të reflektojnë dhe ta shqyrtojnë mundësinë për propozimin e së paku një kandidati tjetër”, tha Haxhiu në konferencë për media.
Ajo tha se në këtë situatë kërkohet maturi dhe përgjegjësi nga të gjitha palët dhe të vendoset interesi i Republikës së Kosovës dhe i qytetarëve para çdo kalkulimi.
Rruga Press

