Haxhiu: S’hyjmë në pazare, nëse refuzohemi shkojmë në zgjedhje
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se partia e saj nuk do të pranojë “kërkesa irracionale” për të arritur numrin prej 61 deputetësh në Kuvend për koalicion qeverisës. Ajo ka thënë se VV-ja nuk do të hyjë në pazare për të krijuar qeverinë në momentet e fundit.
Në “Interaktiv” të KTV-së ajo ka përsëritur se LVV-ja i ka dërguar ofertë Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Nismës. Megjithatë, ka shtuar se VV-ja nuk mendon se duhet të hyjë në qeveri “vetëm sepse duhet të bëhet Qeveria”.
“Po veprojmë në përputhje me përgjegjësitë që kemi. Nuk kemi 61 numra, i kemi 48 deputetë. I kemi edhe partnerë deputetët joshumicë joserbë, dhe po bëjmë përpjekje që t’i sigurojmë numrat. Megjithatë kjo nuk do të thotë që do të pranojmë kërkesa irracionale. Nuk do të thotë se do të hyjmë pazareve, nuk do të thotë se ne do të futemi në qeveri vetëm sepse duhet të bëhet qeveria. Në qoftë se ka refuzime, vendi shkon në zgjedhje sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Qeveria është tejet e rëndësishme që të votohet brenda afatit kushtetues. Nëse jo shkojmë në zgjedhje pastaj qytetarët i vlerësojnë veprimet tona politike”, ka thënë ajo.
Rruga Press

