Haxhiu: Serbia ka organizuar arratisjen e disa të burgosurve për ta dëmtuar rendin publik të Kosovës
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se pushteti i Serbisë ka gisht në disa prej arratisjeve të të burgosurve nga burgjet kosovare me qëllim për ta dëmtuar rendin publik, ligjor dhe kushtetues të Kosovës.
Duke reaguar për rastin e Faton Hajrizit të shtunën, Haxhiu e ka theksuar faktin se disa të arratisur nga burgjet e Kosovës e gjejnë mburojën në shtetin e Serbisë dhe krejt kjo, sipas saj, është e qëllimshme dhe e organizuar. Këto informacione, siç thotë Haxhiu, i ka marrë nga organet e sigurisë së Kosovës.
“E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës. Mburoja nuk jepet vetëm ndaj mos-ekstradimit por ndaj çfarëdo bashkëpunimi informativ me organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës. Një mbështetje e tillë është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës. Ofrimi i territorit të Serbisë si mburojë ndaj ndjekjes së organeve penale të Republikës tonë i shërben krimit dhe kontribuon hapur cenimit të stabilitetit institucional e ligjor të Republikës së Kosovës. Shpeshtimi sistematik i këtyre rasteve në këtë periudhë nuk ka asnjë kuptim tjetër përpos qëllimit politik agresiv të fqinjit tonë verior”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Haxhiu ka thënë se e dënojnë vrasjen e policit në Lloznicë të Serbisë, por ka thënë se narracioni që ka përdorur ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, për rastin është i qëllimshëm dhe i parapërgatitur.
“Aktet e ikjes së disa personave me precedent penal, që janë në vuajtje të dënimit apo në pritje të ekzekutimit të dënimit, janë shpeshtuar sistematikisht së fundmi në një mënyrë të tillë që më së paku do mund të kualifikoheshin si koincidencë. Akti i vrasjes të një polici e plagosjes së një tjetri në afërsi të Lloznicës në Serbi janë padyshim vepra të rënda kundër rendit, ligjit e policëve në detyrë zyrtare. Dënimi ndaj vrasjes së policëve është padiskutim akt i dënueshëm në çdo kuptim ligjor e moral. Ne dënojmë fuqishëm çdo veprim të tillë. Në anën tjetër, përdorimi i aktit të vrasjes kriminale të policit nga ministri i brendshëm në Serbi si shtysë e bazë legjitimimi për të krijuar nevojën e një kauze kundërsulmi ndaj shqiptarëve dhe institucioneve të tyre, apo për të krijuar një rrethanë të kinse barazimit me ngjarje të pakrahasueshme në asnjë dimension, është tërësisht i papranueshëm dhe i qëllimshëm. Kjo retorikë e Qeverisë në Beograd është paralajmërim për ngjarje të ardhshme të gatuara në Beograd e që kanë një perspektivë të qartë shoviniste dhe etno-politike”, ka shkruar ajo.
Haxhiu ka bërë thirrje që të ketë hetim të thellë për vrasjen e dyshuar të Faton Hajrizit, ndërsa u shpreh se hetim duhet edhe për aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë
“Informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj nuk mund ta dijmë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë detajet tjera të rëndësishme e të nevojshme për hetim. Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti. Një hetim vendor dhe ndërkombëtar është i domosdoshëm që të hetojë aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë, dhe krijimin atje të një ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës. Si ministre e drejtësisë, ofroj bashkëpunimin e plotë të shtetit tonë në këtë drejtim”, përfundon shkrimi i Haxhiut.
Autoritetet në Serbi raportuan të premten se e kanë vrarë Faton Hajrizin, që qe arratisur nga burgu i Smrekonicës në Vushtrri dy javë më parë. Vrasja e policit serb N.K. ndodhi në orët e para të së enjtes, pasi Policia serbe e ndaloi një veturë në të cilën ishte i dyshuari nga Kosova. Sipas autoriteteve serbe në vendngjarje ishin gjetur dokumente të Artan Hajrizit. Megjithatë, pas paraqitjes së tij në disa media, Artan Hajrizi u shpreh se është në Gjermani. Sipas versionit të tij, pas arratisë Faton Hajrizi, të cilin e ka vëlla, ka shkuar në banesë tek ai në Gjermani dhe ia ka vjedhë dokumentet.
Rruga Press